
Haradinaj: Kurti do me mbet si Kryeministër edhe dy-tre muaj

Kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj, për ndarjen në votim të nënkryetarit të komuniteteve joshumicë joserbe dhe nënkryetarit të komunitetit serb ishte ndërhyrje në procedurë dhe se kjo është jokushtetuese, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.
“Ne kemi ardhë në seancë që të zbatohet procedura e njohur. Ka ndodhur ndërhyrje në procedurë në mënyrën e votimit për kandidatët për Kryesi të Kuvendit nga komunitetet. Ndërhyrja në procedurë është jokushtetuese. Pra, ne kemi përvojë paraprake që na obligoi Gjykata Kushtetuese me u kthye në procedurë dhe që me respektu Rregulloren e Kuvendit”.
Haradinaj e akuzoi kreun e VV-së, Albin Kurti, që po e shtyn kohën për të mbetur kryeministër në detyrë.
“Është problem me u bë pjesë e kësaj loje në vazhdimësi. Qëllimi është vetëm me e humbë kohën me shkelje kushtetuese, qoftë edhe me rezultat jokushtetues në mënyrë që me i fitu edhe dy-tre muaj kohë që Kurti me vazhdu me mbetë ushtrues detyre i kryetarit të Qeverisë. Ai e ka në dorë ai po e bën këtë”.
Ndërkaq, për një hulumtim në bashkautorësi të kryetarit të ri të Kuvendit, Dimal Basha, i cili fliste kundër UÇK-së, Haradinaj tha se e ka thënë me kohë që Vetëvendosje s’i shërben agjendës së Kosovës.
“Qëndrimet i kam të qarta; e kam deklaruar me kohë se këta njerëz nuk i shërbejnë agjendës së Kosovës. Ka edhe shumë tjerë që në momente të caktuara kanë sulmuar UÇK-në, ju e dini sa i sulmuar kam qenë dhe jam kohë pas kohe. T’ju them të drejtën nuk më bëjnë shumë përshtypje këto më. Nuk mund të ankohemi pasi të ndodhë. Ne duhet më herët të marrim masat që të mos lejohen njerëz të tillë. P.sh pse të certifikohet dikush që ka thye një vlerë kombëtare. Është dashur herët këto procedura. S’mund të thuash tash është deputet, po s’bën me qenë kryetar Kuvendi. Si i ka kaluar të gjitha këto procedura?”
(Kosova Sot Online)