
Mediat tallen me Vuçiqin pasi njoftoi se vetura fluturuese do të sillen nga Kina në Serbi

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka dhënë një deklaratë që ka ngjallur reagime të shumta, sidomos në mediat opozitare si Danas, pasi pas takimeve të tij në Pekin, ai njoftoi se deri më 1 dhjetor të vitit 2026 në Serbi do të prezantohen makinat fluturuese, transmeton gazeta "Kosova Sot Online".
Pas një sërë takimesh me zyrtarë dhe kompani kineze, Vuçiq deklaroi se është biseduar edhe për këtë teknologji inovative dhe se pret që në Serbi të demonstrohet funksionimi i tyre brenda vitit të ardhshëm.
Danas, me ton ironik, raporton se presidenti sot kishte shumë detyrime në Pekin dhe u takua me 11 ose 12 udhëheqës botërorë, përfshirë presidentët e Uzbekistanit, Azerbajxhanit, Sllovakisë dhe Indonezisë. Ai vlerësoi gjithashtu paradën ushtarake kineze, duke thënë se tregoi përparimin e jashtëzakonshëm të ushtrisë kineze.
“Kemi pasur shumë bisedime me shumë kompani ushtarake kineze. Nesër kemi bisedime me tre kompani të tjera. Kemi punuar për të gjetur zgjidhje për qytetarët tanë në shumë fusha, veçanërisht në zbatimin e inteligjencës artificiale në arsim dhe kujdes shëndetësor,” deklaroi Vuçiq.
Ai theksoi gjithashtu se janë zhvilluar bisedime me kompanitë e energjisë, pasi, sipas tij, “do të kemi probleme me energjinë”.
Por ajo që tërhoqi vëmendjen më të madhe ishte deklarata për makinat fluturuese.
“Besoj se deri më 1 dhjetor të vitit të ardhshëm, do të demonstrojmë në Serbi se si funksionojnë makinat fluturuese.”
(Kosova Sot Online)