Latifi: Shteti i Kosovës kurrë s’u kujtua ta nderojë shoqatën Nënë Tereza

  • A.P /
  • 05 September 2025 - 15:21
Latifi: Shteti i Kosovës kurrë s’u kujtua ta nderojë shoqatën Nënë Tereza

Profesori Blerim Latifi ka kujtuar kontributin e pashoq të Shoqatës Humanitare Bamirëse “Nënë Tereza” në përvjetorin e 28-të të vdekjes së humanistes së madhe me prejardhje shqiptare, transmeton gazeta "Kosova Sot Online".

Në këtë përvjetor të vdekjes por edhe të shenjtërimit të Nënës Terezë, Latifi shkroi për ndihmën e madhe që populli shqiptar i Kosovës mori gjatë viteve 90′ nga SHHB “Nënë Tereza”, me seli në Zvicër.

“Në një kohë kur shqiptarët ishin dëbuar me dhunë nga institucionet, shkollat, spitalet, fabrikat dhe, përveç terrorit shtetëror, po përjetonin edhe varfëri të skajshme, ajo ishte kthyer në një portë shprese për ta, një portë në të cilën mund të trokisnin dhe ku patjetër do të gjenin mbështetje”, shkroi profesori Latifi.

“Krijoi 96 klinika mobile dhe maternitete, ku lindën mbi 13 mijë fëmijë. Mbështeti mijëra mjekë dhe arsimtarë që të vazhdonin rezistencën kundër regjimit serb përmes punës së tyre”, tregoi më tej Latifi për disa prej kontributeve madhore të kësaj shoqate humanitare.

Por, për fat të keq, Latifi tha se shteti i Kosovës nuk është kujtuar ndonjëherë që ta shprehë mirënjohjen, qoftë edhe në mënyrë simbolike, për këtë shoqatë që bëri aq shumë për popullin e Kosovës.

“Nuk janë kujtuar, sepse mentaliteti i mosmirënjohjes prej kohësh është duke përçudnuar shpirtin e këtij vendi dhe duke e zhytur në harresë faktin se liria dhe pavarësia e tij ishin, në thelb, produkte të humanizmit perëndimor”, shkroi krejt në fund profesori universitar.

(Kosova Sot Online)