Vetëvendosje pajtohet se Kuvendi s’është kryer: Jemi në fazën e fundit

  • A.P /
  • 06 September 2025 - 13:20
Vetëvendosje pajtohet se Kuvendi s’është kryer: Jemi në fazën e fundit

Gjykata Kushtetuese ka vendosur masë të përkohshme për konstituimin e Kuvendit të Kosovës, duke ndaluar çdo veprim të deputetëve deri më 30 shtator, transmeton gazeta "Kosova Sot Online".

Pavarësisht këtij vendimi, të dielën është paralajmëruar se Lëvizja Vetëvendosje do të mbajë mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm, ku pritet të zyrtarizohet emri i mandatarit për formimin e qeverisë.

Deputeti i VV-së, Arbër Rexhaj, ka theksuar se mbledhja do të zhvillohet, pasi subjekti e konsideron se Kuvendi tashmë është në fazën përfundimtare të konstituimit.

Rexhaj tha se do ta emërojnë edhe mandatarin, shefin e partisë, Albin Kurti.

“Sigurisht që do ta mbajmë mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm, sepse ai është Këshilli i LVV-së i subjektit tonë politik. Ne konsiderojmë që tashmë jemi në fazën e fundit të konstituimit të Kuvendit dhe natyrisht do ta emërojmë mandatarin tonë, pra Albin Kurtin. Ku pas aktvendimit të Gjykatës Kushtetuese, pasi ta lexojmë atë ne do ta dërgojmë emrin e Kurtit te presidentja për të filluar fazat e Kuvendit të Kosovës, ku na nevojitën 61 vota për ta votuar qeverinë e Republikës së Kosovës”, deklaroi ai.

(Kosova Sot Online)