Vjen paralajmërimi nga VV: Të dielën e nominojmë Albin Kurtin për kryeministër

  • A.P /
  • 06 September 2025 - 17:25
Vjen paralajmërimi nga VV: Të dielën e nominojmë Albin Kurtin për kryeministër

Gjykata Kushtetuese ka vendosur masë të përkohshme për konstituimin e Kuvendit të Kosovës, duke ndaluar çdo veprim të deputetëve deri më 30 shtator.

Pavarësisht këtij vendimi, të dielën është paralajmëruar se Lëvizja Vetëvendosje do të mbajë mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm, ku pritet të zyrtarizohet emri i mandatarit për formimin e qeverisë.

Deputeti i VV-së, Arbër Rexhaj, ka theksuar se mbledhja do të zhvillohet, pasi subjekti e konsideron se Kuvendi tashmë është në fazën përfundimtare të konstituimit.

Rexhaj tha se do ta emërojnë edhe mandatarin – kryeministrin në detyrë, Albin Kurtin.

“Sigurisht që do ta mbajmë mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm, sepse ai është Këshilli i LVV-së i subjektit tonë politik. Ne konsiderojmë që tashmë jemi në fazën e fundit të konstituimit të Kuvendit dhe natyrisht do ta emërojmë mandatarin tonë, pra Albin Kurtin. Ku pas aktvendimit të Gjykatës Kushtetuese, pasi ta lexojmë atë ne do ta dërgojmë emrin e Kurtit te presidentja për të filluar fazat e Kuvendit të Kosovës, ku na nevojitën 61 vota për ta votuar qeverinë e Republikës së Kosovës”, deklaroi ai.

(Kosova Sot Online)