Limaj: Pezullimi i Dialogut Strategjik nga SHBA, goditja më e rëndë për Kosovën

  • A.P /
  • 13 September 2025 - 09:14
Limaj: Pezullimi i Dialogut Strategjik nga SHBA, goditja më e rëndë për Kosovën

Fatmir Limaj, kryetari i Nismës Socialdemokrate, ka thënë se raportet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk janë vetëm çështje politike, ato janë amaneti i brezit që I solli Kosovës lirinë dhe shtetin, transmeton gazeta "Kosova Sot Online".

Në një postim në Facebook, ai ka thënë se pezullimi i Dialogut Strategjik nga ShBA-ja është një nga goditjet më të rënda që ka përjetuar Kosova në këto 25 vite.

“Ky është sinjal i qartë se besimi me aleatin tonë jetik është cenuar, dhe kjo duhet të na shqetësojë të gjithëve. Kosova nuk e ka luksin të humbasë Amerikën”.

“Aleanca me SHBA-në është themeli i sigurisë, zhvillimit dhe të ardhmes sonë. Çdo veprim apo qasje që e dëmton këtë marrëdhënie është veprim kundër interesit kombëtar”, ka thënë Limaj.

Limaj ka kërkuar veprime urgjente që të rregullohen marrëdhëniet me shtetin amerikan.

“Sot është moment reflektimi për institucionet e vendit: duhet kthim në rrugën e bashkëpunimit, transparencës dhe përgjegjësisë. Kërkoj veprime për rikthim urgjent të besimit dhe forcim të partneritetit me SHBA, sepse vetëm krah për krah me aleatët tanë euro-atlantikë mund të garantojmë një të ardhme të sigurt për Kosovën. Ky është detyrim ndaj qytetarëve tanë dhe ndaj sakrificës së brezit që na solli lirinë”, theksoi Limaj.

(Kosova Sot Online)