Berisha: Shqipëria nuk ka njohur kurrë një hajdute me çizme

  • A.P /
  • 15 September 2025 - 15:55
Berisha: Shqipëria nuk ka njohur kurrë një hajdute me çizme

Lideri i opozitës, Sali Berisha, deklaroi këtë të hënë se përfaqësues të lartë të qeverisë që po dalin në pah këto ditë janë të lidhur me krimin e organizuar dhe korrupsionin në shkallën më të lartë, transmeton gazeta "Kosova Sot Online".

Në qendër të kësaj deklarate ishte zëvendëskryeministrja Belinda (Lubi) Balluku, të cilën Berisha e akuzoi për aferat më të mëdha korruptive të viteve të fundit, që nga projektet e energjisë, tuneli i Llogarasë, Rruga e Arbrit, e deri tek inceneratori i Tiranës.

Sipas Berishës, Balluku ka shpërdoruar qindra milionë euro përmes tenderave të fryrë, kontratave të dyshimta dhe mungesës së transparencës në menaxhimin e projekteve publike.

Ai theksoi se në shumë raste, energjia e prodhuar në Shqipëri është shitur me çmime qesharake kompanive të lidhura me pushtetin, ndërsa diferenca e fitimeve ka përfunduar në xhepa privatë. 

Pjesë nga deklarata:

Në qoftë se marrim përfaqësuesit e tjerë që po dalin në pah gjatë këtyre 4 ditëve, janë përfaqësues të krimit të organizuar dhe korrupsionit në shkallën më të lartë.
Në historinë e Shqipërisë nuk ka pasur kurrë një hajdute- siç thotë populli- me çizme si Lubi Ballukun.
Lubi Balluku është e akuzuar me dokumente për vjedhjen e qindra milionë eurove me tunelin e Llogarasë, ndaj edhe në popull e thërrasin Lubi tuneli, me tigrat e saj të zi në Vlorë.
Por qytetarët shqiptarë të mos harrojnë se vjedhjet më të mëdha të saj janë vjedhjet në fushën e energjisë, ku ajo edhe pas krijimit të bursës për transaksione energjetike, anashkalon në çdo rast bursën për hir të xhepave të saj.
Janë faktuar tashmë, jo një por në mënyrë të përsëritur rastet, kur energjia e prodhuar në Shqipëri iu është shitur kompanive të lidhur me Lubinë me 40 euro dhe këto e kanë shitur në treg me 140 euro, duke ndarë paratë me të.
Ose rasti i tunelit të Llogarasë ku së bashku me Ramën, ajo hodhi poshtë ofertën 130 milionë dhe mori ofertën 200 milionë euro. Dhe sot, tuneli i papërfunduar ka shkuar në 220 milionë euro.
Të shohim sa do vazhdojë.
Lubi Balluku është autore e katërfishimit të çmimit të Rrugës së Arbrit.
Unë u deklaroj shqiptarëve se një km rrugë në Rrugën e Arbrit me gjerësi 11 metra, ka kushtuar më shtrenjtë se një km rrugë në Rrugën e Kombit me gjerësi 27 metra dhe me një tunel dy herë më të gjatë se sa tuneli i Murrizit.
Lubi Balluku është përgjegjëse për vjedhjen e madhe në rrugën Qukës- Qafë Pllocë, rrugë e cila njëlloj si Rruga e Arbrit, zgjati në ndërtim 16 vite.
Të dy rrugët përfunduan me 4-5 fishim të çmimit.
Nuk njeh kufij ajo për të vjedhur.
Një aktakuzë e rëndë për të është rruga Korçë-Ersekë, e cila u ndërtua në 18 kilometrat e para me shumën 800 mijë euro për km, kurse segmenti tjetër prej 17 km, u ndërtua me 15 milionë euro kilometrin.
Kjo kleptokrate e papërgjegjshme ka përgjegjësi përafërsisht sa Erion Veliaj në vjedhjen e tmerrshme me djegësin e Tiranës.
Pse? Sepse në përputhje me kontratën, drejtorinë e mbikëqyrjes së punimeve të djegësit e kishte ministria që drejtohej nga Lubi Balluku.
Dhe Lubi Balluku nuk bëri qoftë dhe një supervizim të vetëm. Qoftë dhe një raport të vetëm.
Një bashkëpunëtor i tyre në krim, që quhet Altin Troplini, lëshoi urdhër-arresti për zëvendëskryeministrin Arben Ahmetaj, i cili nuk firmosi dokumentin themelor të djegësve.
I cili kundërshtoi pesë herë me shkrim kërkesën e Erion Veliajt për djegësin e Tiranës.
Mercenar Dumani, për djegësin e Tiranës, nxjerr jashtë hetimeve dhe fajësisë Edi Ramën, Erion Veliajn- që kishte falsifikuar dhe mashtruar në shkresat e tij- Lubi Ballukun që kishte detyrë mbikëqyrjen e punimeve, por duke e ditur se paratë i vidhte Edi Rama, ajo heshtte si fija e barit.
Të gjitha këto mbulohen nga një mercenar, nga një prokuror pa ligj dhe moral, i cili bëri çdo kompromis për të zgjatur mandatin e tij për shkak të krimeve që ka kryer.

(Kosova Sot Online)