
Spahia: Rama, ky ‘incinerues’ që djeg demokracinë në Shqipëri

Ligjvënësi demokrat, Bardh Spahia ka reaguar ashpër ndaj miratimit të programit qeverisës, pa asnjë diskutim nga ana e grupeve parlamentare dhe deputetëve në Kuvend.
Përmes një reagimi në rrjetet sociale, teksa e ka vënë theksin te tensionet që shoqëruan seancën e së enjtes, Spahia shkruan se sot në Kuvend 'u dogj Kushtetuta, Ligji, Rregullorja, Konventat Europiane dhe të Drejtat Universale të Njeriut'.
Spahia ka etiketuar kryeministrin Rama si 'incenerues' i demokracisë, ndërsa shton se sot me heqjen e së drejtës kushtetuese të opozitës për të folur në Parlament, Shqipëria është qindra vite dritë larg Bashkimit Europian.
Reagimi
Nuk është e vërtetë që në Shqipëri nuk ka një incenerator. Ai është ngritur në Kuvendin e Shqipërisë, ku digjet pa pushim Kushtetuta, Ligji, Rregullorja, Konventat Europiane dhe të Drejtat Universale të Njeriut! Digjet demokracia!
Inceneruesi më i madh quhet Edi Rama! Pushteti i tij i korruptuar dhe i inkriminuar po djeg në themel shpresat se Shqipëria mund të jetë një vend normal. Sot, me heqjen e së drejtes kushtetuese të opozitës për të folur në Parlament, Shqipëria është qindra vite dritë larg Bashkimit Europian.
(Kosova Sot Online)