Trump: Putini do të tërhiqet nga lufta në Ukrainë nëse Europa nuk blen më naftë

  • A.P /
  • 19 September 2025 - 13:00
Trump: Putini do të tërhiqet nga lufta në Ukrainë nëse Europa nuk blen më naftë

Presidenti i SHBA-ve, Donald Trump, tha ditën e djeshme gjatë takimit me kryeministrin Sir Keir Starmer në Mbretërinë e Bashkuar se "shumë thjesht" nëse çmimi i naftës bie, "Putini do të tërhiqet, ai nuk do të ketë zgjidhje tjetër, ai do të tërhiqet nga ajo luftë", transmeton gazeta "Kosova Sot Online".

Sipas mediave të huaja, Presidenti vazhdoi duke iu referuar kombeve evropiane që po blejnë naftë nga Rusia, duke thënë "nuk mund ta bëni këtë".

"Jam i gatshëm të bëj gjëra të tjera, por jo kur njerëzit për të cilët po luftoj blejnë naftë nga Rusia", shtoi Trump, teksa i kërkoi shteteve të Bashkimit Europian të ndërpresin blerjen e naftës ruse.

"Nëse çmimi i naftës bie, shumë thjesht, Rusia do të pajtohet për ndaljen e luftës", tha mes të tjerash Trump.

Trump edhe më parë ka thënë se lufta në Ukrainë do të mbaronte nëse të gjitha vendet e NATO-s do të ndalonin së bleri naftë nga Rusia.

Turqia ka qenë blerësi i tretë më i madh i naftës ruse që nga viti 2023, pas Kinës dhe Indisë, sipas Qendrës për Kërkime mbi Energjinë dhe Ajrin e Pastër.

Po ashtu shtete të tjera të Europës si Hungaria dhe Sllovakia gjithashtu furnizohen me energji nga Moska. 

(Kosova Sot Online)