
Berisha: Është iluzion të besosh se policia do zbardhë krimin

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, komentoi sot ngjarjen e rëndë që ndodhi në banesën e deputetit demokrat Xhelal Mziu, e cila u sulmua me tritol, transmeton gazeta "Kosova Sot Online".
Gjatë një konference për media, Berisha u shpreh se policia është “thellësisht dhe tmerrësisht e politizuar” dhe se besimi se ajo mund të zbardhë krimin politik është një “iluzion”.
Ai rikujtoi një ngjarje të mëparshme ku, sipas tij, një zyrë elektorale e PS në Pekisht u kap duke kryer manipulime me fletëvotime dhe dokumentacion të ndryshëm, por polici që ndërhyri u ndëshkua.
“Po u rikujtoj këtu, i nderuar zotëri, dhe qytetarëve se kohë më parë, kur unë paraqita rastin e zyrës elektorale sekrete të PS në qendrën e votimit në Pekisht, polici që bëri detyrën u ndëshkua nga Proda i krimit. U ndëshkua!”, tha Berisha, duke shtuar se kjo tregon se segmentet e policisë nuk janë të besueshme për të zbardhur krimet politike.
FJALA E BERISHËS:
Keni parasysh se policia është thellësisht dhe tmerrësisht e politizuar.
Po u rikujtoj këtu, i nderuar zotëri, dhe qytetarëve se kohë më parë, kur unë paraqita para jush rastin e zyrës elektorale sekrete të PS në qendrën e votimit në Pekisht, në të cilën u gjetën fletë votimi, paund, lekë, karta identiteti, u gjet i gjithë dokumentacioni, polici, i cili bëri detyrën dhe mori në procedim pronarin e barit, u ndëshkua nga Proda i krimit.
U ndëshkua!
Unë nuk mund të them se çdo segment i policisë është i infiltruar nga krimi, por të besosh se do e zbardhë, do e pranojë të zbardhin krimin politik policia, është një iluzion.
(Kosova Sot Online)