Një sulm kibernetik shkakton shumë pengesa në aeroporte të mëdha

  • A.P /
  • 20 September 2025 - 13:23
Një sulm kibernetik shkakton shumë pengesa në aeroporte të mëdha

Një sulm kibernetik ndaj sistemeve të regjistrimit në aeroporte ka shkaktuar pengesa të mëdha në trafikun ajror dhe vonesa në disa nga aeroportet kryesore të Evropës, thanë zyrtarët, transmeton gazeta "Kosova Sot Online".

Aeroporti i Brukselit tha se sulmi nënkuptoi që ishte i mundur vetëm regjistrimi manual para hipjes në avionë dhe se incidenti ka “ndikim të madh” në oraret e fluturimeve.

“Një sulm kibernetik u krye të premten mbrëma, më 19 shtator, ndaj ofruesit të shërbimeve për sistemet e regjistrimit dhe hipjes, që preku disa aeroporte evropiane, përfshirë Aeroportin e Brukselit”, thuhet në një deklaratë.

Autoritetet në Aeroportin Brandenburg të Berlinit thanë se një ofrues shërbimesh për sistemet e menaxhimit të pasagjerëve u sulmua të premten në mbrëmje, duke detyruar operatorët e aeroportit të ndërprisnin lidhjet me sistemet.

Aeroporti i Londrës Heathrow, më i ngarkuari në Evropë, tha se “një problem teknik” ka prekur një ofrues shërbimesh për sistemet e regjistrimit dhe pranimit të udhëtarëve.

“Collins Aerospace, që ofron sisteme regjistrimi dhe hyrje ne avionë për disa linja ajrore në aeroporte të shumta në mbarë botën, po përjeton një problem teknik që mund të shkaktojë vonesa për udhëtarët”, tha Heathrow në një deklaratë.

Aeroportet i këshilluan udhëtarët e tyre të kontrollonin statusin e fluturimeve të tyre dhe kërkuan falje për çdo shqetësim.

E formuar në vitin 2018, Collins është kompani amerikane e teknologjisë ajrore dhe mbrojtjes, pjesë e RTX Corp., e cila më parë njihej si Raytheon Technologies.

Collins ofron teknologjinë që ua mundëson udhëtarëve ta bëjnë vetë regjistrimin, t’i printojnë kartat për t’u futur në avionë dhe etiketat e bagazheve, si dhe t’i dorëzojnë vetë bagazhet e tyre, të gjitha përmes një kioske.

Collins tha se ishte “në dijeni për pengesat e shkaktuara nga një sulm kibernetik” në softuerin e saj MUSE (Multi-User System Environment) në “disa aeroporte të zgjedhura”, por se operacionet manuale për regjistrim janë të përdorshme.

“Ne po punojmë në mënyrë aktive për ta zgjidhur çështjen dhe për të rikthyer sa më shpejt funksionalitetin e plotë për klientët tanë,” tha kompania në një deklaratë.

Ndikimi u ndje vetëm në disa aeroporte, pasi aeroportet Roissy, Orly dhe Le Bourget në zonën e Parisit raportuan se nuk përballeshin me pengesa.

(Kosova Sot Online)