
Burri që tentoi të vriste gjyqtarin e Gjykatës Supreme tani identifikohet si grua

Nga Ashley Oliver, FOX NEWS
Një burrë që pranoi fajin për tentativën për të vrarë gjyqtarin e Gjykatës Supreme në SHBA, Brett Kavanaugh, në vitin 2022, tani po përdor një emër dhe përemra femërorë, sipas një dokumenti gjyqësor të depozituar të premten.
Nicholas Roske, i cili pritet të marrë dënimin muajin tjetër, po përdor emrin Sophie Roske dhe titullin "znj" për herë të parë në një dokument gjyqësor për një çështje që ka zgjatur tre vjet. Depozitimi gjyqësor ishte një kërkesë rutinë përgatitore për dënimin e Roske, i cili është caktuar më 3 tetor. Por dokumenti i referohej Roske me emrin "Sophia", ndërsa një shënim në fund tregonte se Nicholas mbetet emri i tij ligjor.
“Si shenjë respekti për znj. Roske, pjesa tjetër e këtij dokumenti dhe argumenti i avokatëve në sallën e gjyqit do ta referojnë atë si Sophie dhe do të përdorin përemra femërorë,” thuhet në shënimin në fund.
Nuk është e qartë nëse Roske po ndjek ndonjë trajtim për t’u bërë transgjinor. Fox News kontaktoi ekipin mbrojtës të të akuzuarit për një koment.
Roske arriti në shtëpinë e Kavanaugh më 8 qershor 2022, me një pistoletë, fishekë, një thikë, një levë dhe pajisje taktike. Ai më pas telefonoi 911 dhe u vetëdorëzua pas një telefonate nga motra e tij dhe pasi pa marshallët amerikanë para shtëpisë së gjyqtarit.
Ngjarja ndodhi vetëm dy javë para se Gjykata e Lartë të jepte vendimin historik për rrëzimin e ‘Roe kundër Wade’, një vendim i pritur që kishte tërhequr protestues para ndërtesës së Gjykatës së Lartë dhe para shtëpive të gjyqtarëve konservatorë për javë me radhë.
Departamenti i Drejtësisë po kërkon një dënim prej 30 vitesh. Në një memorandum për dënimin, prokurorët referuan "çështje të shëndetit mendor" që i akuzuari ka pasur për rreth një dekadë, duke përfshirë mendimet për të vrarë dhunshëm motrën e tij. Ai ka marrë trajtim për këto probleme, por specifikat nuk u përfshinë në memorandum.
“Ndërsa i akuzuari ka probleme të shëndetit mendor, këto çështje nuk ulin rëndësinë e krimit të të akuzuarit: i akuzuari hulumtoi dhe synoi disa anëtarë të sistemit gjyqësor dhe kishte qëllim të ndryshonte përbërjen e Gjykatës së Lartë për arsye ideologjike,” shkruan prokurorët.
Zbulimi i ndryshimit të etiketës gjinore vjen ndërsa Departamenti i Drejtësisë ka diskutuar brenda për shqetësimet mbi pronësinë e armëve nga personat transgjinorë, dhe ndërkohë që vrasësi i dyshuar i aktivistit konservator Charlie Kirk, Tyler Robinson, u zbulua se kishte qenë në një marrëdhënie romantike me një person transgjinor. Ndërsa hetimi mbetet i hapur dhe autoritetet ende po përpiqen të kuptojnë motivin, ato kanë thënë se Robinson ndjente se Kirk përhapte urrejtje, gjë që e shtyu të kryente vrasjen.
Një zëdhënës i Agjencisë së Burgjeve (BOP) tha në një deklaratë për Fox News se burgu nuk mund të konfirmojë detaje për ndonjë trajtim të lidhur me gjininë që Roske mund të ketë marrë.
“Për arsye privatësie, sigurie dhe mbrojtjeje, Bureau of Prisons (BOP) nuk komenton mbi kushtet e burgosjes për asnjë individ të burgosur, përfshirë informacionin për shëndetin apo trajtimet,” tha zëdhënësi.
(Kosova Sot Online)