Serbia beson më shumë te Rusia dhe Kina sesa te SHBA-ja dhe BE-ja

  • A.P /
  • 26 September 2025 - 12:06
Serbia beson më shumë te Rusia dhe Kina sesa te SHBA-ja dhe BE-ja

Serbia ndodhet në një udhëkryq politik dhe gjeopolitik. Me një popullsi të ndarë mes Lindjes dhe Perëndimit, me pakënaqësi të brendshme dhe mosbesim ndaj institucioneve ndërkombëtare, e ardhmja evropiane e vendit mbetet e paqartë, transmeton gazeta "Kosova Sot Online".

Opinioni publik në Serbi shfaq një nivel të lartë pakënaqësie me drejtimin aktual të vendit dhe një mosbesim të theksuar ndaj perspektivës së anëtarësimit në Bashkimin Evropian, sipas një sondazhi të fundit krahasues në vendet e Ballkanit Perëndimor.

Më shumë se gjysma e qytetarëve: Vendi po shkon në drejtim të gabuar

Sipas të dhënave, 51 për qind e serbëve besojnë se vendi po ecën në drejtim të gabuar, ndërsa vetëm 44 për qind mendojnë se situata po përmirësohet. Serbia renditet kështu në mesin e vendeve më pesimiste të rajonit, pas Bosnje dhe Hercegovinës (me 83 për qind mendim negativ).

Anëtarësimi në BE – Vend i ndarë mes Po-së dhe Jo-së

Në pyetjen “Nëse do të mbahej sot një referendum për anëtarësimin në Bashkimin Evropian, si do të votonit?”, vetëm 39 për qind e qytetarëve të Serbisë shprehen pro, ndërsa 39 për qind të tjerë do të votonin kundër. Ky është niveli më i ulët i mbështetjes për BE-në në rajon.

Kjo ndarje pasqyron një mungesë besimi ndaj qëllimeve të BE-së: 62 për qind e serbëve besojnë se Bashkimi Evropian nuk është serioz në ofrimin e anëtarësimit për vendet e Ballkanit Perëndimor, ndërsa vetëm 27 për qind besojnë të kundërtën.

Besimi më i madh te Rusia dhe Kina, jo te Perëndimi

Ndërkohë që mbështetja për BE-në dhe SHBA-të është e vakët, perceptimet ndaj Rusisë dhe Kinës janë më pozitive:

Kina: 26 për qind shumë të favorshme, 41 për qind disi të favorshme

Rusia: 27 për qind shumë të favorshme, 16 për qind disi të favorshme

SHBA: Vetëm 19 për qind shumë të favorshme, ndërsa 50 për qind shprehin mendim negativ, me 21 për qind që shprehen shumë kundër

Kosova shihet në mënyrë më negative se çdo vend tjetër: 57 për qind e serbëve kanë një opinion shumë të pafavorshëm ndaj saj.

Serbia – ndryshe nga fqinjët

Ndryshe nga Serbia, vendet e tjera të rajonit shfaqin një entuziazëm më të madh për anëtarësimin në Bashkimin Evropian.

Kosova: 89 për qind do të votonin për hyrje në BE

Mali i Zi: 73 për qind

Maqedonia e Veriut: 70 për qind

Bosnja dhe Hercegovina: 66 për qind

Serbia është i vetmi vend ku numri i atyre që do të votonin kundër BE-së është i barabartë me ata që do të votonin për. 

(Kosova Sot Online)