
Një punëtor lëndohet rëndë pasi bie nga lartësia, pronari ndalohet për 48 orë

Një incident i rëndë ka ndodhur paraditen e 2 tetorit 2025 në objektin “Royal Green Residence” në Zllatar të Prishtinës, ku një punëtor ka rënë nga lartësia gjatë kryerjes së punimeve dhe ka përfunduar me lëndime serioze,
Sipas informacioneve të para, rreth orës 11:15, punëtori i lënduar është dërguar menjëherë në QKUK, ku po trajtohet dhe ndodhet në gjendje të rëndë shëndetësore. Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitë policore dhe hetuesit, të cilët kanë nisur procedurat e nevojshme.
Lidhur me rastin është intervistuar dëshmitari D. M, ndërsa viktima nuk ka mundur të merret në pyetje për shkak të gjendjes së rëndë.
Në kuadër të hetimeve, është intervistuar edhe Faton Krasniqi, pronari i kompanisë “Fjordi SHPK”, në prani të avokatit të tij mbrojtës. Pas intervistimit, me urdhër të Prokurorit kujdestar, ai është ndaluar për 48 orë dhe është dërguar në qendrën e ndalimit.
Rasti është iniciuar si “Asgjësimi, dëmtimi ose heqja e pajisjeve mbrojtëse dhe rrezikimi i sigurisë në vendin e punës” dhe pritet të hetohet me prioritet.
(Kosova Sot Online)