Zbardhen detaje: Liridona Ademaj u qëllua me armë nga një distancë rreth 2-5 cm

  • A.P /
  • 06 October 2025 - 10:15
Zbardhen detaje: Liridona Ademaj u qëllua me armë nga një distancë rreth 2-5 cm

Eksperti mjeko-ligjor Naim Uka po deklarohet në seancën e sotme që po mbahet ndaj të akuzuarve për vrasjen e Liridona Ademajt, transmeton gazeta "Kosova Sot Online".

Ai tha se është konstatuar se distanca e qitjes ka qenë rreth 2 deri në 5 cm.

“Në bazë të provave mjeko-ligjore është konstatuar se distanca e qitjes sillet rreth 2 deri në 5 cm”, tha ai në gjykatore.

Naim Murseli dhe të tjerët janë sjellur të prangosur dhe nën masa të rrepta sigurie në gjykatë.

Ndryshe, raporti i Institutit të Psikiatrisë Forenzike të Kosovës ka konstatuar se Naim Murseli, i akuzuar për vrasjen e Liridona Ademajt, nuk ka pasur çrregullime apo sëmundje mendore në kohën e kryerjes së veprës penale.

Edhe në seancën e 22 shtatorit 2025, ekspertët Shpend Haxhibeqiri dhe Bujar Obërtinca, konstatuan se të akuzuarit Murseli dhe Plava nuk kanë çrregullime mendore.

Në seancën fillestare të mbajtur më 31 janar 2025, Naim Murseli u deklarua i pafajshëm për vrasjen e bashkëshortes së tij Liridona Ademajt, Granit Plava nuk u deklarua rreth fajësisë, kurse Kushtrim Kokalla tha se nuk deklarohet pa u konsultuar me mbrojtjen. Ndërsa, fajtor u deklarua i akuzuari Tom Dodaj. Ky i fundit, pasi pranoi fajësinë u dënua me 5 vjet burgim dhe 5 mijë euro gjobë.

Ndryshe, Prokuroria Themelore në Prishtinë më 15 janar 2025 ka ngritur aktakuzë ndaj Naim Murselit, Granit Plavës, Kushtrim Kokallës dhe Tom Dodajt.


(Kosova Sot Online)