
Në disa lagje të Prishtinës ka pasur ndërprerje të pa paralajmëruara të energjisë elektrike

Disa qytetarë të Prishtinës janë ankuar për ndërprerje të energjisë elektrike në lagjet e tyre gjatë ditës së martë dhe sot, të mërkurën, pa asnjë paralajmërim paraprak nga kompania përgjegjëse, transmeton gazeta "Kosova Sot Online".
Sipas banorëve, ndërprerjet kanë filluar rreth orës 10:00 të mëngjesit dhe kanë zgjatur për disa orë, duke shkaktuar shqetësime në jetën e përditshme dhe në aktivitetet afariste.
"Është e papranueshme që të mbetemi pa rrymë për orë të tëra dhe askush të mos na njoftojë. Kjo na ka penguar edhe në punën tonë", tha një banor.
Ka pasur qytetarë që janë ankuar edhe nga vende të tjera duke e krahasuar këtë dukuri si në Korenë e Veriut.
Deri në momentin e publikimit të këtij lajmi, kompania KEDS nuk ka dhënë ndonjë sqarim zyrtar mbi shkaqet e ndërprerjes dhe pse qytetarët nuk janë informuar paraprakisht.
Njoftimi i fundit në faqen zyrtare të KEDS është i datës 3 Tetor 2025.
Qytetarët kërkojnë që të ketë më shumë transparencë dhe komunikim nga ana e institucioneve përgjegjëse, në mënyrë që situata të tilla të mos përsëriten pa paralajmërim.

(Kosova Sot Online)