Trump: Jam shumë i zhgënjyer me Vladimir Putinin

  • A.P /
  • 15 October 2025 - 09:11
Trump: Jam shumë i zhgënjyer me Vladimir Putinin

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, tha mbrëmë se ishte “shumë i zhgënjyer” me Presidentin rus, Vladimir Putin, disa ditë para se udhëheqësi ukrainas, Volodymyr Zelensky, të vizitojë Uashingtonin. “Jam shumë i zhgënjyer, sepse unë dhe Vladimiri kishim një marrëdhënie shumë të mirë. Ndoshta ende e kemi”, u tha Trump gazetarëve në Shtëpinë e Bardhë, duke shtuar: “Nuk e di pse po e vazhdon atë luftë”, transmeton gazeta "Kosova Sot Online".

Duke folur në një konferencë të përbashkët për shtyp me Presidentin argjentinas Javier Miel, Presidenti i SHBA-së, Donald Trump tha se Putini “duhet ta kishte fituar atë luftë brenda një jave” dhe vuri në dukje se pushtimi i plotë tani po hynte në vitin e katërt.

Ai e quajti luftën “të tmerrshme”, dhe pretendoi se Rusia kishte “humbur një milion e gjysmë ushtarë” të vrarë dhe të plagosur, dhe shtoi se lufta e bën Putinin të duket shumë keq në sytë e botës”.

Trump tha se Putin nuk dëshiron t’i japë fund konfliktit, gjë që lë një përshtypje “shumë të keqe”. “Ai mund ta përfundojë atë. Ai mund ta përfundojë shumë shpejt”, tha ai.

Presidenti amerikan vlerësoi gjithashtu Ukrainën për rezistencën e saj ndaj Rusisë dhe foli për vizitën e Presidentit ukrainas Zelensky në Uashington të premten.

“Ai dëshiron armë. Do të donte raketa Tomahawk”, tha Trump, i cili nuk e përjashton furnizimin e Ukrainës me ato raketa të fuqishme amerikane me një rreze veprimi deri në 2.5 mijë kilometra.

Takimi i tretë në Shtëpinë e Bardhë

Ky do të jetë takimi i tretë i Zelenskyt me presidentin amerikan në Shtëpinë e Bardhë që kur Trump u rikthye në pushtet në fillim të vitit.

Të dy folën në telefon gjatë fundjavës dhe tema përfshinte marrëveshje të mundshme me aleatët e NATO-s për blerjen e raketave Tomahawk për Kievin – një raketë lundrimi me rreze të gjatë veprimi që do t’i lejonte Ukrainës të godiste objektiva deri në Moskë dhe më gjerë, si dhe mënyra të tjera për t’i dhënë fund luftës së Rusisë kundër Ukrainës.

Raketat Tomahawk kanë qenë në krye të listës së dëshirave të Ukrainës që nga fillimi i një pushtimi total rus në vitin 2022. Trump ka thënë se po shqyrton shitjen e një numri raketash në Ukrainë, por dëshiron të dëgjojë më shumë rreth asaj se si Kievi planifikon t’i përdorë ato.

(Kosova Sot Online)