
Ish-diplomati rus, i përfshirë në skandalin e agjentit të FBI-së

Ish-diplomati rus i lidhur me skandalin e shmangies së sanksioneve ku u përfshi një nga ish-agjentët kryesorë të Byrosë Federale të Hetimit (FBI) dhe një oligark rus, pritet të dënohet nën akuzat se ka gënjyer agjentët amerikanë të zbatimit të ligjit, transmeton gazeta "Kosova Sot Online".
Seanca për shqiptimin e dënimit për Sergei Shestakovin, që është caktuar të mbahet më 16 tetor në Gjykatën Federale në Manhatan, mbyll një kapitull në rastin që turpëroi FBI-në, por po ashtu hodhi dritë të re mbi Oleg Deripaskën, një miliarder të lidhur me Kremlinin i cili prej kohësh ka qenë në shënjestër të FBI-së.
Në dokumentin përfundimtar të gjykatës, prokurorët amerikanë argumentuan se Shestakov, 71 vjeç, që ka punuar si përkthyes i autorizuar në një gjykatë federale pasi mori shtetësinë amerikane më 2013, ishte i vetëdijshëm se ishte vepër penale të gënjente agjentët e FBI-së të cilët po e hetonin agjentin në pension të FBI-së, Charles McGonigal.
Në kohën e pensionimit më 2018, McGonigal ishte një nga agjentët kryesorë të posaçëm në zyrat e FBI-së në Nju Jork dhe kishte mbikëqyrur hetimet kundër spiunazhit në rastet e spiunëve rusë dhe oligarkëve.
Prokurorët kanë kërkuar një dënim relativisht të butë prej gjashtë muajsh burgim, plus një gjobë prej 5 mijë dollarësh.
Ndërkaq, avokatja e Shestakovit ka kërkuar që dënimi i tij të jetë në përputhje me kohën sa ka qëndruar në paraburgim, që nënkupton për periudhën e shkurtër kohore që ai qëndroi në paraburgim më 2023 para se të lirohej me kusht.
“Frika që kishte, dyshimi ndaj agjentëve dhe ndjenja e gabuar e besnikërisë bënë që ai të mos bënte gjënë e duhur dhe të mos ishte i sinqertë plotësisht”, shkroi Rita Galvin. “Ai përgjithmonë do të lidhet me agjentin e korruptuar të FBI-së, Charles McGonigal, dhe do të jetojë me një re dyshimi se ishte spiun rus [nuk ishte] dhe tradhtar”.
Glavin nuk u përgjigj përmes emailin për komente shtesë.
Në qendër të rastit janë bisedat që Shestakov zhvilloi me Yevgeny Fokin, një ish-diplomat rus, të cilin e cilësonte mik të vjetër.
Fokin, një drejtues i lartë në kompaninë kryesore të Deripaskës, En+, nisi të vëzhgohej nga FBI-ja në korrik të vitit 2019, sipas dokumenteve gjyqësore, dhe pajisjet elektrike iu sekuestruan gjatë hyrjes në SHBA në gusht të vitit 2021.
Viza e tij amerikane iu revokua një vit më pas me kërkesë të FBI-së. Sipas FBI-së, ai ishte i lidhur me Shërbimin e Inteligjencës së Jashtme të Rusisë.
Sipas dokumenteve gjyqësore, prokurorët amerikanë po ashtu kanë pretenduar se Forkin ishte një “bashkëpunëtor ndaj të cilit nuk është ngritur akuzë” i Shestakovit dhe ish-agjentit të FVI-së McGonigal.
Deripaska, të cilit FBI-ja ja bllokojë vizën në fillim të vitit 2000, u sanksionua nga SHBA-ja në prill të vitit 20198 për shkak të lidhjeve të tij me Kremlinin. Më 2022, ndaj tij u ngrit aktakuzë nën dyshimet se kishte planifikuar që e dashura e tij shtatzënë të lindje në SHBA, në mënyrë që fëmija të ishte shtetas amerikan.
Sipas dokumenteve gjyqësore, McGonigal u njoftua me Fokinin përmes Shestakovit. McGonigal më vonë hetoi një tjetër oligark rus që ishte rival i Deripaskës, si dhe pranoi pagesa përmes një kompanie në Qipro.
Gjatë gjykimit, avokatët mbrojtës thanë se puna u bë në emër të En+, e jo të Deripaskës, duke përmendur një dëshmi të Fokinit.
Më 21 nëntor 2021, në një takim me agjentët e FBI-së, Shestakov kishte minimizuar raportin e tij dhe raportin e McGonigalit me Fokinin. Agjentët ia sekuestruan telefonin.
Një javë më vonë, në bazë të ligjit për regjistrimin e agjentëve të huaj, ai zbuloi se punonte për Fokinin dhe En+.
Në janar të vitit 2023, Shestakov u arrestua në shtëpinë e tij në Konektikat dhe ndaj tij u ngritën pesë akuza, përfshirë akuzën se kishte gënjyer për raportin e tij me Fokinin, por edhe agjentët e FBI-së dhe regjistrin për agjentët e huaj. Qershorin e kaluar, pasi autoritetet amerikane hoqën katër akuza, ai pranoi fajësinë.
(Kosova Sot Online)