
Bisedimet mes Donald Trump dhe Volodymyr Zelensky nuk prodhuan ndonjë rezultat

Bisedimet në Uashington mes presidentit amerikan, Donald Trump, dhe atij ukrainas, Volodymyr Zelensky, nuk prodhuan ndonjë rezultat të madh, por po ashtu as nuk u përmbyllën me përplasje, dhe procesi diplomatik pritet të vazhdojë në Budapest, transmeton gazeta "Kosova Sot Online".
Para vizitës kishte shumë diskutime se Zelensky do të kërkonte raketa Tomahawk apo armë të tjera për të ndihmuar vendin e tij të vazhdojë luftën gati katër vjet pasi Rusia nisi pushtimin në shkallë të plotë të shtetit fqinj.
Por, shumë vëzhgues thanë se kjo gjithmonë ishte një pritje joreale.
Megjithatë, simbolika e mundësisë që ato të ofroheshin nxiti një reagim të ashpër nga Kremlini dhe duket se kjo e shtyu presidentin rus, Vladimir Putin, që të telefononte Trumpin më 16 tetor.
Furnizimi me raketa Tomahawk do të vinte në pah se sa e ka ndryshuar qëndrimin administrata amerikane krahasuar me muajt e saj të parë, kur Trumpi kishte shprehur optimizëm se mund të negocionte shpejt përfundimin e luftës.
Pas bisedimeve në Shtëpinë e Bardhë, Zelensky tha se pavarësisht se nuk pati një marrëveshje për furnizim me raketat Tomahawk, Trump nuk e ka përjashtuar plotësisht këtë mundësi.
(Kosova Sot Online)