KQZ del me njoftim: Katër prej pesë të lënduarve në gjendje të rëndë

  • A.P /
  • 18 October 2025 - 13:45
KQZ del me njoftim: Katër prej pesë të lënduarve në gjendje të rëndë

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka njoftuar për aksidentin e së premtes në Ferizaj ku pesë anëtarë të Komisionit Komunal të Zgjedhjeve kanë pësuar një aksident trafiku, derisa ishin të angazhuar në kryerjen e detyrave të tyre zyrtare në kuadër të procesit zgjedhor, transmeton gazeta "Kosova Sot Online".

“Sipas informacioneve të para, gjendja shëndetësore e katër prej tyre është e rëndë dhe aktualisht po trajtohen në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK). Për detaje të mëtejshme lidhur me gjendjen e tyre, rekomandojmë të kontaktohen institucionet shëndetësore përkatëse”, tha KQZ.

“Pesë zyrtarët e përfshirë në këtë ngjarje ishin të angazhuar me përkushtim të lartë në përmbylljen e procesit zgjedhor në komunën e Ferizajt, i cili u mbajt më 12 tetor në të gjithë vendin. Në këto momente të vështira, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve shpreh shqetësimin e thellë për këtë ngjarje dhe lutet për shërimin sa më të shpejtë të tyre. Mendimet dhe përkrahja jonë janë me anëtarët e KKZ-së në Ferizaj dhe me familjet e tyre”.

(Kosova Sot Online)