
Koalicioni në Vushtrri pa miratimin e LDK-së, Meholli i LVV-së: Faleminderit Xhafer Tahirit

Kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje për kryetar të Vushtrrisë, Sylejman Meholli e ka falënderuar kandidatin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Xhafer Tahiri pas lidhjes së koalicionit nga i cili u distancua partia e këtij të fundit, duke konfirmuar se s’ka pasur miratim për marrëveshjen, transmeton gazeta "Kosova Sot Online".
Meholli e falënderoi Tahirin për “gjenerozitetin dhe gatishmërinë plot vullnet”, për t’iu bashkuar LVV-së në ndihmë në synimin për ta marrë udhëheqjen e kësaj komune.
“Përtej çfarëdo dallimi sot kemi lidhur koalicionin e fitores në Vushtrri me LDK-në – Dega në Vushtrri e drejtuar nga kryetari i saj z. Xhafer Tahiri dhe në mbështetje të plotë të kësaj marrëveshje nga kryeministri z. Albin Kurti! Bashkë e kemi ndryshuar qeverisjen në vitin 2017 e bashkë do ta ndryshojmë edhe më 9 nëntor 2025! Vushtrria ka nevojë për ndryshim të kursit qeverisës për t’ia kthyer qeverisjen qytetarit, qytetit zhvillimin, e qytetarëve mirëqenien pa dallim”, shkroi Meholli.
Për marrëveshjen, ai i falënderoi “strukturat e LDK-së në Vushtrri”.
“Dua të falënderoj nga zemra strukturat e LVV-së dhe LDK-së në Vushtrri, në veçanti z. Tahiri, për gjenerozitetin dhe gatishmërinë plot vullnet për t’u bërë bashkë për fitoren e madhe në Vushtrri! Nuk ka forcë që e ndalon fitoren tonë të përbashkët në Vushtrri! Urime, na priftë e mbara! Zoti e bekoftë Vushtrrinë!”.
(Kosova Sot Online)