Gecaj nga LDK iu qepet Kurtit: Albini i përtyp njerëzit si çamçakëz

  • A.P /
  • 21 October 2025 - 11:07
Gecaj nga LDK iu qepet Kurtit: Albini i përtyp njerëzit si çamçakëz

Bajram Gecaj nga Lidhja Demokratike e Kosovës, ka reaguar ashpër pas marrëveshjes së arritur dje ndërmjet kandidatit të LDK-së në Vushtrri, Xhafer Tahiri, dhe kandidatit të Vetëvendosjes, Sylejman Meholli, transmeton gazeta "Kosova Sot Online".

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Gecaj e ka quajtur Albin Kurtin “përtypës” dhe ka thënë se kushdo që hyn në marrëveshje me të është i destinuar të dështojë.

“Çdokush që hyn në marrëveshje me Albin Kurtin është i paracaktuar të dështojë — veçanërisht nëse dëshiron të ruajë individualitetin e vet. Kurti nuk bashkëpunon, ai përtyp njerëz – si një gomë përtypëse që e hedh sapo i humbët shija”, ka shkruar Gecaj.

Ai ka theksuar se Kurti që nga koha e paraluftës e sheh LDK-në si armikun e tij të vërtetë, pasi sipas tij, ajo përfaqëson themelin mbi të cilin është ngritur shteti i Kosovës.

Sipas Gecajt, Vetëvendosje mund të funksionojë si forcë demokratike vetëm pasi të çlirohet nga Kurti dhe “rrethi i tij servil”, ndërsa çdo bashkëpunim aktual me të, siç thotë ai, është “biletë e sigurt drejt dështimit”.

“Ky njeri, që po e ndan popullin më thellë se kurrë dhe po e izolon Kosovën nga miqtë e saj ndërkombëtarë, duhet izoluar politikisht për të mirën e vendit”, ka përfunduar ai, duke shoqëruar postimin me fotografinë e disa prej “viktimave të përtypura” nga Kurti.


(Kosova Sot Online)