
Parlamenti Evropian ka përgatitur një rezolutë për shkeljet e të drejtave të njeriut në Serbi

Parlamenti Evropian ka përgatitur një rezolutë të fortë për gjendjen politike dhe shkeljet e të drejtave të njeriut në Serbi, ku adresohen çështje të shumta të ndjeshme si dhuna ndaj protestuesve, korrupsioni sistematik, shtypja e mediave, frikësimi i shoqërisë, transmeton gazeta "Kosova Sot Online".
Me 31 pika specifike, kjo rezolutë është një nga më të ashprat të drejtuara ndonjëherë ndaj një vendi kandidat për anëtarësim në BE, raporton Nova
Rezoluta e BE-së nis me një thirrje të drejtpërdrejtë ndaj autoriteteve serbe që të marrin masa kundër përhapjes së propagandës dashakeqe në median vendase, në vend që të bëhen pjesë e përhapjes së saj.
Eurodeputetët shprehin shqetësim të thellë për narrativat nacionaliste që shfaqen në një pjesë të lëvizjes së protestës në Serbi, si dhe për përdorimin e vazhdueshëm të sloganeve si “Serbia e Madhe” dhe “Bota Serbe”, që janë promovuar më herët nga zyrtarë të qeverisë serbe. BE thekson se një retorikë e tillë nuk ka vend në marrëdhëniet BE–Serbi dhe se minon stabilitetin rajonal.
Më poshtë janë 31 pikat kryesore të Rezolutës së Parlamentit Evropian për Serbinë:
1. Kujton tragjedinë e 1 nëntorit 2024 në Novi Sad ku humbën jetën 16 persona pas shembjes së një strehë në stacionin hekurudhor, dhe kërkon hetime të plota, të pavarura dhe transparente, ndjekje penale të përgjegjësve dhe kompensim për familjet e viktimave.
2. Mbështet protestat paqësore të studentëve dhe qytetarëve serbë, duke dënuar retorikën polarizuese dhe propagandën anti-BE/pro-ruse nga zyrtarët shtetërorë dhe mediat e kontrolluara nga shteti.
3. Dënon dhunën, arrestimet arbitrare dhe frikësimin e gazetarëve, demonstruesve dhe opozitës; kërkon ndalim të përgjimeve ilegale dhe përdorimit të pajisjeve si Pegasus dhe suprimimin e dhunshëm të protestave.
4. Akuzon udhëheqjen serbe për përkeqësim të represionit, përhapje të teorive konspirative dhe mungesë të reagimit institucional.
5. Shpreh shqetësim për abuzimin me legjislacionin penal për të ndëshkuar pjesëmarrësit në protesta paqësore.
6. Kërkon lirimin e menjëhershëm të aktivistëve të arrestuar para protestave të 15 marsit dhe 28 qershorit 2025, veçanërisht anëtarët e PSG që mbahen në arrest shtëpiak ose janë në mërgim.
7. Kërkon hetime urgjente për dhunën e pretenduar të forcave të sigurisë ndaj të ndaluarve, përfshirë torturë, poshtërime seksuale dhe abuzime fizike.
8. Merr parasysh dorëheqjen e kryeministrit Vuçeviq dhe emërimin e qeverisë së re nën drejtimin e Đuro Macuta më 16 prill 2025.
9. Evidenton arrestimet dhe lirimin e ish-ministrave Tomislav Momiroviq dhe Goran Vesiq për abuzime financiare në projektin e hekurudhës hungarezo-serbe dhe lidhjet e tyre me shembjen në Novi Sad.
10. Dënon ndëshkimin e punonjësve të arsimit dhe kulturës për mbështetjen e protestave, përfshirë shkurtimin e pagave, largimet nga puna dhe ndërhyrjen policore në institucionet arsimore.
11. Kërkon rivendosjen e financimit për universitetet dhe garantimin e pjesëmarrjes së lirë të akademikëve në programet e BE-së.
12. Dënon kampin ilegal të ngritur në Pionirski Park nga partia në pushtet dhe përfshirjen e personave me precedentë kriminalë në kontraprotesta.
13. Dënon përdorimin e faljeve presidenciale për personat e përfshirë në dhunë ndaj protestuesve, duke e cilësuar si ndërhyrje të drejtpërdrejtë në drejtësi.
14. Kërkon garantimin e sigurisë dhe riintegrimit të qytetarëve që janë larguar nga vendi për shkak të represionit politik.
15. Dënon ndalimet dhe dëbimet e qytetarëve të BE-së që mbështesin protestat në Serbi dhe publikimin e të dhënave personale të tyre nga kriminelë të dënuar për krime lufte.
16. Dënon sulmet verbale nga zyrtarët më të lartë të Serbisë ndaj eurodeputetëve që kanë marrë pjesë në protesta apo kanë dhënë deklarata publike.
17. Dënon ndërhyrjen e Rusisë në protestat në Serbi përmes dezinformimit dhe akuzave për “revolucione me ngjyra” të mbështetura nga Perëndimi; kërkon nga qeveria serbe që të ndalë përhapjen e këtyre narrativave.
18. Shpreh shqetësim për negociatat e dyshuara të qeverisë serbe me kompaninë United Media për të dobësuar ndikimin e mediave si N1, Nova, Danas dhe Radar.
19. Kërkon zbatimin e plotë të rekomandimeve të OSBE/ODIHR për të garantuar zgjedhje të lira dhe të ndershme, përfshirë rishikimin e listës zgjedhore dhe reformimin e bordit të REM.
20. Kërkon inspektim të plotë teknik dhe të sigurisë të infrastrukturës hekurudhore në Serbi, veçanërisht përgjatë korridorit Beograd–Novi Sad–kufiri hungarez.
21. Kërkon rritjen e transparencës në prokurimet publike, mbrojtjen e standardeve mjedisore dhe të drejtave të komuniteteve lokale dhe pakicave.
22. Inkurajon Komisionin Evropian që të ndjekë nga afër zbatimin e agjendës së reformave në Serbi dhe progresin drejt integrimit në BE.
23. Rikonfirmon përkushtimin e BE-së për perspektivën evropiane të Serbisë, duke theksuar se përparimi varet nga respektimi i vlerave dhe standardeve të BE-së.
24. Thekson se përparimi në negociatat e anëtarësimit duhet të bazohet në reforma reale në fushat themelore si sundimi i ligjit, liria e medias dhe ndëshkimi i korrupsionit.
25. Jep mbështetje të fuqishme për shoqërinë civile, mbrojtësit e të drejtave të njeriut dhe aktivistët e pavarur, duke kërkuar mbrojtje dhe fonde të mjaftueshme për ta.
26. Mbështet dërgimin e një misioni ad hoc të BE-së në Serbi për të vlerësuar nga afër situatën e demokracisë dhe protestave.
27. Kërkon nga zyrtarët e lartë evropianë që të shmangin lavdërimet e pabazuara ndaj reformave në Serbi dhe përshëndet tonin më realist të shprehur nga presidentja e Komisionit në vizitën e fundit në Beograd.
28. Kërkon që Komisioni Evropian të iniciojë sanksione individuale të targetuara ndaj atyre që janë përgjegjës për shkelje serioze të të drejtave dhe ligjeve në Serbi.
29. Kërkon nga shtetet anëtare të BE-së që të ofrojnë mbrojtje për personat e rrezikuar, përfshirë viza urgjente dhe programe relokimi; si dhe të ndjekin nga afër proceset gjyqësore të lidhura me protestat.
30. Bën thirrje për vendet pjesëmarrëse në EXPO 2027 në Serbi që të marrin në konsideratë shqetësimet serioze lidhur me korrupsionin e përhapur dhe mungesën e standardeve ndërtimore në projektin e EXPO-s.
31. Kërkon që kjo rezolutë t’i dërgohet të gjitha institucioneve përkatëse të BE-së, si dhe institucioneve shtetërore të Serbisë, OSBE-së dhe Këshillit të Evropës.
(Kosova Sot Online)