Aktakuzë ndaj instruktores që dyshohet se i mori 200 euro 'ryshfet'

  • A.P /
  • 22 October 2025 - 11:45
Aktakuzë ndaj instruktores që dyshohet se i mori 200 euro 'ryshfet'

Prokuroria Themelore në Prishtinë ka ngritur aktakuzë kundër pesë personave, A.B., E.Q., F.S., S.M. dhe V.V., nën dyshimin se kanë kryer veprat penale “Marrje ryshfeti” dhe “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”, transmeton gazeta "Kosova Sot Online".

E pandehura A.B., në cilësinë e instruktores në një autoshkollë” akuzohet se i ka marrë 200 euro nga një kandidate që t’ia mundësojë kalimin e testit të vozitjes.

“Sipas aktakuzës, e pandehura A.B., në cilësinë e personit zyrtar – instruktore në auto-shkollën “A.B A.F.”, me dashje dhe me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm pasuror për vete, ka pranuar dobinë pasurore nga e dëmtuara në shumën prej 200.00 (dyqind) euro, në mënyrë që kësaj të fundit t’i mundësohet kalimi i testit praktik të vozitjes. Me këto veprime e pandehura A.B., ka kryer veprën penale ‘’Marrja e ryshfetit’’ sipas KPRK-së.”

Ndërsa F.S., E.Q., S.M. dhe V.V., që nga data 04.04.2025, në cilësinë e anëtarëve të Komisionit për shqyrtimin dhe vendosjen lidhur me kërkesat për licencim dhe ndryshim të kushteve hapësinore të auto-shkollave, duke vepruar në bashkëkryerje, me dashje dhe me dijeni të plotë, kanë tejkaluar kompetencat dhe detyrimet e tyre ligjore, me qëllim që të përfitojnë dobi materiale në mënyrë të kundërligjshme.

“Me këto veprime, të pandehurit F.S., E.Q., S.M. dhe V.V., kanë kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”, nga neni 414 paragrafi 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).”

Ndërsa ndaj të pandehurit E.L. është nxjerrë aktvendimin për pushimin e pjesshëm të hetimeve.

“Ndërkaq, ndaj të pandehurit E.L., prokurori i shtetit ka nxjerrë aktvendim për pushimin e pjesshëm të hetimeve, lidhur me veprën penale “Marrja e ryshfetit”, sipas nenit 421 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, me arsyetimin se nuk ekziston dyshim i arsyeshëm që i pandehuri ta ketë kryer këtë vepër penale.”

“Prokuroria Themelore në Prishtinë mbetet e përkushtuar në luftimin e veprave penale të korrupsionit, si dhe në ndjekjen penale të të gjithë personave të përfshirë në kryerjen e këtyre veprave, me qëllim të forcimit të sundimit të ligjit dhe garantimit të llogaridhënies institucionale.”

(Kosova Sot Online)