E zbulon Osmani: Armend Zemaj i LDK-së u soll dhunshëm dhe më goditi
Nuha Osmani ka dhënë versionin e tij rreth incidentit të ndodhur. Ai tha se është fyer rëndë, jo vetëm ai, por edhe gruaja dhe nëna e tij, transmeton gazeta "Kosova Sot Online".
Zemaj ka thënë të kundërtën duke thënë se ka qenë duke dhënë një intervistë kur një qytetar e ka fyer rëndë.
“Ai më fyeu mua, me gruan dhe me nënën. Unë iu afrova vetëm ta pyes çka po don, por ai u soll dhunshëm dhe më goditi”, tha Osmani.
Ai tha se Zemaj duhet të kërkojë falje atij dhe të gjithë qytetarëve të Kosovës për sjelljen e tij, që ai e quan arrogante.
“Prej tij kërkoj vetëm të më kërkojë falje mua dhe gjithë qytetarëve të Kosovës për sjelljen e tij arrogante. Të gjitha të tjerat do t’i kryejë drejtësia – nëse ka drejtësi”, përfundoi ai.
Ndërsa, Zemaj sot gjatë një shkrimi në Facebook ka thënë se derisa ka qenë duke dhënë një intervistë, është provokuar verbalisht me fjalë të papranueshme.
“ Sot gjatë një interviste publike ndodhi një situatë e pakëndshme, për të cilën ndjej keqardhje të sinqertë. Një qytetar, nuk e di a ishte e rastit apo me qellim te caktuar, këtë do e vërtetojnë policia, më ofendoi dhe më provokoi verbalisht me fjalë të papranueshme, para medias dhe gazetarit që ishim në intervistë”, ka thënë Zemaj.
Tutje deputeti i LDk-së ka thënë se ka reaguar në afekt në vetëmbrojtje, gjë për të cilën thotë se s’përfaqëson as bindjet e tij personale e as parimet e partisë që i takon. Për këtë, Zemaj ka thënë se s’do të duhej të binte pre e provokimit dhe ka kërkuar falje për incidentin që ka ndodhur.
(Kosova Sot Online)
