Mahmuti ngre alarmin për një epidemi të re 'antishqiptare' në Maqedoni të Veriut

  • A.P /
  • 27 October 2025 - 12:30
Mahmuti ngre alarmin për një epidemi të re 'antishqiptare' në Maqedoni të Veriut

Bardhyl Mahmuti, një ndër themeluesit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ka shkruar për “Micko-ski dhe Micko-jat shqiptare”, në një tekst ku thotë se kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristjan Mickoski “i ka pickuar shqiptarët” dhe se po i përdor “për të korrur dhe shkatërruar të gjitha të drejtat që me sakrifica të mëdha kanë realizuar shqiptarët autoktonë në këtë shtet”.

Ai i referohet mbështetjes që disa përfaqësues politikë shqiptarë ia dhanë një kandidati të partisë maqedonase VMRO-DPMNE në zgjedhjet lokale në RMV.

Të votosh apo të mbështesësh kandidatët e VMRO–së kundër kandidatëve të Aleancës Kombëtare për Integrim është e njëjta gjë sikurse në Prekaz, në Izbicë, në Qirez, në Likoshan, në Poklek, në Reçak dhe në qindra fshatra të tjerë ku janë kryer masakrat më çnjerëzore gjatë zbatimit të gjenocidit të fundit në Kosovë, të votohen pasardhësit e Sllobodan Millosheviqit!”, shkruan ai.

Shkrimi i plotë, pa ndërhyrje, i Bardhyl Mahmutit:

ALARM: NË MAQEDONINË E VERIUT SHQIPTARËT JANË NË RREZIK NGA MALARJA!

MICKO-SKI DHE MICKO-JAT SHQIPTARE

Shkruan Bardhyl Mahmuti

Që në fillim dua të sqaroj lexuesin se shqiptarët që jetojnë në trojet e veta në Maqedoni, “mushkonjave” u thonë “mickoja”

Nga të gjitha llojet e MICKO–jave, është e njohur MICKO–ja ANOFELE, që shkakton murtajën vdekjeprurëse.

Por çështja është të kuptohet si mundet një MICKO ta infektojë popullin shqiptar!

Si çdo organizëm njerëzor, edhe shqiptarët kanë parazitë që mund ta dëmtojnë jashtëzakonisht shumë qenien e tyre. Në këtë kontekst po përmend parazitin PLASMODIUM, që tekstualisht do të thotë “organizëm i vogël që merr forma të ndryshme”. Nga të gjitha format e këtij paraziti, më i rrezikshmi është Plasmodium Falciparum, që në gjuhën shqipe përkthehet “organizëm i vogël në formë të draprit”!
MICKO–ja ANOFELE,– që tekstualisht në gjuhën shqipe do të thotë: “mushkonjë e padobishme”, sepse i sjell vetëm dëm njerëzimit,– e pickon qenien njerëzore, siç i ka “pickuar” Hristijan MICKO-SKI shqiptarët, ua merr parazitët Plasmodium Falciparum dhe i përdor si DRAPËR MALARJE për të korrur dhe shkatërruar të gjitha të drejtat që me sakrifica të mëdha kanë realizuar shqiptarët autoktonë në këtë shtet!

Parazitët që me vetëdije të plotë janë shndërruar në DRAPËR TË MICKO-SKIT dhe KRYEZINJËVE që mbështetin realizimin e përhapjes së murtajës ndër shqiptarë, do të mbesin përjetësisht si “organizma me shpirt të vogël” që i bënë dëm të madh kauzës kombëtare!

Përpara se të mobilizoheshin DRAPRIT E MICKO–SKIT dhe KRYEZINJËT e formave të ndryshme, pa palcë kombëtare, askush nuk ka mundur të imagjinojë se do të ketë shqiptarë në Luboten të Karadakut të Shkupit që do të votojë për një kandidat të asaj partie që gjatë luftës së vitit 2001 ishte në pushtet dhe që më 12 gusht 2001 kreu masakrën më të tmerrshme kundër shqiptarëve të këtij fshati të banuar 100% nga shqiptarët!

DRAPRIT E MICKO–SKIT dhe KRYEZINJËT që mbështetën Darko Kostovskit e VMRO-së– pasardhësin e Johan Tarçullovskit që u dënua me 12 vjet burg për vrasjen e 10 shqiptarëve,– që t’i jepen 402 votat shqiptare, përjetësisht do ta mbajnë në ballë VULËN E PËRGJAKUR TË MASAKRËS SË LUBOTENIT.

 

Të votosh apo të mbështesësh kandidatët e VMRO–së kundër kandidatëve të Aleancës Kombëtare për Integrim është e njëjta gjë sikurse në Prekaz, në Izbicë, në Qirez, në Likoshan, në Poklek, në Reçak dhe në qindra fshatra të tjerë ku janë kryer masakrat më çnjerëzore gjatë zbatimit të gjenocidit të fundit në Kosovë, të votohen pasardhësit e Sllobodan Millosheviqit!

Në kontekstin historik që po kalojmë dhe rreziqet me të cilat ballafaqohen shqiptarët në Maqedoni, kërkon urgjentisht të lihen anash inatet personale dhe mospajtimet reale që ekzistojnë mes nesh dhe me votat tona t’ia pamundësojmë MICKO-SKIT të shkatërrojë të arriturat e deritanishme!

Aleancën Kombëtare për Integrim e shoh më shumë se një bashkim të Ali Ahmetit, Arben Taravarit dhe Ziadin Selës! E shoh si mundësi për t’ia hequr Hristijan MICKO-SKIT DRAPRIN NGA DORA!

Është në ndërgjegjen e secilit të vendos nëse do të bëhet argat në shkatërrimin e të drejtave të shqiptarëve autoktonë në Maqedoninë e Veriut!

(Kosova Sot Online)