Kurti në Paris: Vetëm një Evropë që dëshiron të reformohet nga brenda mund të zgjerohet nga jashtë

  • A.P /
  • 29 October 2025 - 15:50
Kurti në Paris: Vetëm një Evropë që dëshiron të reformohet nga brenda mund të zgjerohet nga jashtë

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, gjatë vizitës në Paris, ka folur për rëndësinë e anëtarësimit të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian dhe NATO, transmeton gazeta "Kosova Sot Online".

Deklaratat e tij u bënë gjatë darkës së shtruar nga Qarku Diplomatik i Parisit, ku ishin të pranishëm shumë personalitete të larta politike, diplomatike dhe ekonomike të Francës, siç ka bërë të ditur Qeveria e Kosovës.

“Ai tha se anëtarësimi i Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian është në vetë interesin ekonomik dhe të sigurisë të Bashkimit Evropian dhe shteteve anëtare të tij. Në këtë drejtim, ai shtoi se u përket atyre që besojnë se zgjerimi i jashtëm i Bashkimit Evropian dhe reformat e brendshme të tij shkojnë krah për krah. Vetëm një Evropë që dëshiron të reformohet nga brenda mund të zgjerohet nga jashtë, dhe vetëm një Evropë që dëshiron të zgjerohet nga jashtë mund të reformohet suksesshëm nga brenda; zgjerimi i jashtëm dhe reformat e brendshme janë njëkohësisht mundësi dhe kushte të njëra-tjetrës”, citohet në njoftimin e qeverisë.

Tutje, Kurti ka theksuar rëndësinë e solidaritetit dhe bashkëpunimit ndërmjet vendeve demokratike për avancimin e shoqërive dhe përballimin e sfidave të përbashkëta.

Kryeministri në detyrë sot merr pjesë edhe në edicionin e tetë të Forumit të Paqes në Paris, me ftesë të Presidentit të Republikës së Francës, Emmanuel Macron, forum ky që mblodhi liderë nga e gjithë bota.

(Kosova Sot Online)