OEK e cilëson fushatë politike ftesën e Ministrisë së Financave për pagën minimale
Oda Ekonomike e Kosovës ka njoftuar se ata nuk kanë qenë pjesë e takimit të thirrur nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve për çështjen e rritjes së pagës minimale, takim i cili thirrur për ditën e sotme në orën 10:00, transmeton gazeta "Kosova Sot Online".
OEK, në komunikatën e saj deklaron se në katër vitet e fundit nuk ka pasur asnjë dialog të mirëfilltë e gjithëpërfshirës ndërmjet Qeverisë dhe komunitetit të biznesit, duke shtuar se, gjatë kësaj periudhe, bizneset janë përballur me ‘’një sërë vendimesh të njëanshme’’, të cilat kanë ndikuar drejtpërdrejt në funksionimin e tregut dhe klimën e investimeve.
”OEK rithekson se nuk e sheh të arsyeshme të bëhet pjesë e asnjë fushate politike, por do të vazhdojë të angazhohet për takime të nivelit të lartë, me qëllim fuqizimin e bizneseve, stabilitetin ekonomik dhe zhvillimin e vendit”, thuhet mes tjerash.
Komunikata:
Oda Ekonomike e Kosovës: Dialogu me komunitetin e biznesit nuk mund të zëvendësohet me takime formale
Prishtinë, 30 tetor 2025 – Oda Ekonomike e Kosovës njofton opinionin publik se nuk ka qenë pjesë e takimit të thirrur nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve për çështjen e rritjes së pagës minimale, takim i planifikuar për të enjten, më 30 tetor, nga ora 10:00.
OEK thekson se në katër vitet e fundit nuk ka pasur asnjë dialog të mirëfilltë e gjithëpërfshirës ndërmjet Qeverisë dhe komunitetit të biznesit, ndonëse një proces i tillë është thelbësor për adresimin e sfidave ekonomike dhe zhvillimin e qëndrueshëm të vendit.
Gjatë kësaj periudhe, bizneset janë përballur me një sërë vendimesh të njëanshme, të cilat kanë ndikuar drejtpërdrejt në funksionimin e tregut dhe klimën e investimeve.
Kryetari i OEK-ut, z. Lulzim Rafuna, ka theksuar se proceset që prekin bizneset, siç është edhe çështja e pagës minimale, kërkojnë qasje serioze, analiza të mirëfillta dhe konsultim të gjerë me sektorin privat.
“Oda Ekonomike e Kosovës është pjesë e Këshillit Ekonomiko-Social me dy anëtarë dhe gjithmonë ka qenë e gatshme për dialog të hapur e konstruktiv. Megjithatë, një qeverisje legjitime dhe e votuar në Kuvendin e Republikës së Kosovës duhet të tregojë përgjegjësi institucionale, duke dëgjuar dhe përfshirë partnerët ekonomikë në proceset e vendimmarrjes”, ka deklaruar Rafuna.
OEK rithekson se nuk e sheh të arsyeshme të bëhet pjesë e asnjë fushate politike, por do të vazhdojë të angazhohet për takime të nivelit të lartë, me qëllim fuqizimin e bizneseve, stabilitetin ekonomik dhe zhvillimin e vendit.
(Kosova Sot Online)
