Qeveria Kurti miraton pagën minimale prej 500 eurosh të ndarë në dy faza

  • A.P /
  • 31 October 2025 - 10:34
Qeveria Kurti miraton pagën minimale prej 500 eurosh të ndarë në dy faza

Qeveria në detyrë e Kosovës ka miratuar propozimin e Ministrisë së Financave për rritjen e pagës minimale në dy faza për vitin e ardhshëm, transmeton gazeta "Kosova Sot Online".

Ministri në detyrë, Hekuran Murati, gjatë propozimit të tij tha se kanë bërë analizat për ndikimin e saj që mund të ketë dhe se kanë ardhur në përfundimin që paga minimale të jetë 500 euro.

Por, ai tha se kjo do të ndodhë në dy faza. Fillimisht, ajo do të rritet në 425 euro në muaj për orar të plotë nga 1 janari, ndërsa nga 1 korriku do të bëhet 500.

“Edhe te paga minimale kur kemi marrë mandatin, pra niveli i pagës minimale ishte 130, përkatësisht 170 euro në muaj, ne në prill të vitit 2022 si qeveri patëm proceduar në Kuvend përojektligjin që hapte rrugën për rritjen e pagës minimale duke propozuar fillimisht pagën minimale prej 264 eurove në muaj. Megjithëse ishte vonuar në Gjykatë Kushtetuese dhe u rrit paga minimale. Pastaj, kemi rritur pagën minimale në 350 euro që aktualisht është aktive dhe kësisoj pas miratimit të 350 eurove vitin e kaluar, për sivjet janë pjekur kushtet që të rishikohet”.

“Pas analizave që kemi bërë sa i përket impaktit që mund të ketë edhe në sektorin privat, te ndërmarrjet, por edhe te punonjësit, që kjo pagë minimale e re prek rreth 150 mijë të punësuar në sektorin privat dhe pas diskutimeve që kemi pasë dhe propozimeve dhe sugjerimeve që kemi marrë nga përfaqësues të sindikatave dhe bizneseve, propozimi ynë është që paga minimale për vitin e ardhshëm të bëhet 500 euro, apo konkretisht 3 euro për orë pune”.

“Në mënyrë që kjo rritje të jetë e përballueshme edhe për ndërmarrjet dhe të mund t’i planifikojnë më lehtë përgjatë vitit, rritjen e kemi paraparë që të bëhet në dy faza. Ngjashëm siç e kishim rritjen e pagave në sektorin publik. I njëjti model është paraparë që të bëhet edhe për pagën minimale.  Konkretisht, duke filluar nga data 1 janar 2026, propozimi i MF është që paga minimale të jetë në nivelin 2,5 euro. Kemi të bëjmë me nivelin prej 425 euro në muaj për orar të plotë. Ndërkaq, duke filluar nga data 1 korrik është edhe faza e dytë e rritjes që përcaktohet në nivelin 3 euro apo 500 euro”.

(Kosova Sot Online)