Osmani ngushëllon për vdekjen e Fatos Nanos: Ai kontribuoi në ndërtimin e një kulture
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka shprehur ngushëllime për vdekjen e ish-kryeministrit të Shqipërisë, Fatos Nano, transmeton gazeta "Kosova Sot Online".
Ajo tha se ai ishte ndër figurat figurave të tranzicionit demokratik në Shqipëri dhe që përmes vizionit të tij, ai kontribuoi në ndërtimin e një kulture më paqësore dhe më bashkëpunuese në jetën politike shqiptare.
“Presidentja Vjosa Osmani i shpreh ngushëllime familjes dhe bashkëpunëtorëve për ndarjen nga jeta të ish-Kryeministrit të Shqipërisë, Fatos Nano. Ai ishte një prej figurave të tranzicionit demokratik në Shqipëri dhe luajti rol në transformimin politik pas viteve ’90. Si themelues dhe udhëheqës i Partisë Socialiste, Fatos Nano pati rol transformues në drejtimin e saj, duke e shndërruar në një forcë moderne, evropiane dhe të përkushtuar ndaj dialogut politik. Përmes vizionit të tij, ai kontribuoi në ndërtimin e një kulture më paqësore dhe më bashkëpunuese në jetën politike shqiptare. Në këtë ditë të dhimbjes, shpreh ngushëllimet më të sinqerta për familjen Nano, të afërmit, Partinë Socialiste dhe bashkëpunëtorët”, ka shkruar Osmani.
Nano vdiq dje në moshën 73-vjeçare nga një arrest kardiak.
(Kosova Sot Online)
