Forcat ajrore shqiptare shpëtojnë turistin kosovar që u pickua nga gjarpri
Urgjenca Mjekësore Shqiptare përmes një njoftimi për media, ka bërë të ditur se të premten rreth orës dy pasdite, një turist kosovar është shpëtuar falë ndërhyrjes së Urgjencës Mjekësore dhe angazhimit edhe të forcave ajrore shqiptare, transmeton gazeta "Kosova Sot Online".
Turisti kosovar ishte kafshuar nga një gjarpër helmues, dhe ekipi mjekësor i urgjencës Kombëtare i kishte bërë ndërhyrjen e parë në vendin e ngjarjes dhe më pas pacienti ishte dërguar në Spitalin Rajonal të Shkodrës.
Siç ka bërë të ditur kjo Qendër, shtetasi i Kosovës është në gjendje stabile.
Njoftimi i plotë:
Sot, rreth orës 14:00, pas një kërkese për ndihmë në numrin 127, u raportua një rast pickimi nga gjarpri në shtegun Curraj i Poshtëm – Curraj i Epërm, në terren të vështirë malor.
Nën koordinimin e Qendrës Kombëtare të Urgjencës Mjekësore (127), u angazhuan Kërkim-Shpëtimi Malor i Shqipërisë, Spitali Bashkiak Bajram Curri dhe Forcat Ajrore të Shqipërisë.
Ekipi mjekësor në vendngjarje realizoi ndërhyrjen e parë, ndërsa pacienti u evakuua me helikopter ushtarak me vinç ajror drejt Spitalit Rajonal Shkodër, ku ndodhet në gjendje të qëndrueshme.
(Kosova Sot Online)
