Kurti: LVV-ja po ia jep mundësinë opozitës që t’ia kursejë vendit dy palë zgjedhje
Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti tha se partia e tij është “gati për zgjedhje sot”, por ndërkohë në përpjekje për t’i shmangur e shtyrë ato, e propozoi sot në Këshillin e Përgjithshëm të LVV-së Glauk Konjufcën për mandatar të ri për formimin e qeverisë, transmeton gazeta "Kosova Sot Online".
Kurti tha se kështu LVV-ja po ia jep “mundësinë opozitës që t’ia kursejë vendit dy palë zgjedhje”.
“Ne do të shkojmë përpara me tentimin e dytë, me mandatarin e dytë, Glauk Konjufcën, me qeverinë e njëjtë, me dëshirën më të mirë për shtetin e për vendin, për popullin e për të gjithë qytetarët pa dallim”, tha ai.
“Ne jemi gati për zgjedhje sot, jemi gati edhe në dhjetor, në muajin e ardhshëm. Jemi edhe më shumë gati në prill, në vitin e ardhshëm. Por po e japim këtë mundësi si zgjidhje për këtë bllokim të kotë”, tha ai.
Kurti u arsyetua se do të “rrezikohet qëndrueshmëria e shtetit dhe stabiliteti ekonomik i vendit” në rast se partia e tij s’do ta bëjë qeverinë.
“Vendi nuk duhet të shkojë në zgjedhje pa buxhet të miratuar në Kuvend”, tha ai.
(Kosova Sot Online)
