Raporti i BE’së për zgjedhjet e 9 shkurtit: U keqpërdorën burimet publike

  • A.P /
  • 05 November 2025 - 14:15
Raporti i BE’së për zgjedhjet e 9 shkurtit: U keqpërdorën burimet publike

Gjatë ditës së djeshme, Komisioni Evropian ka miratuar Pakon vjetore të Zgjerimit, duke paraqitur një vlerësim gjithëpërfshirës të progresit të bërë nga vendet partnere të zgjerimit gjatë dymbëdhjetë muajve të fundit. Pjesë e këtij raporti ka qenë edhe Kosova.

Në raportin në fjalë, nga BE u deklarua për një sërë çështjesh. Përfshirë këtu tregun e punës, dialogun mes Kosovës dhe Serbisë si dhe çështjen e mediave. Përveç këtyre, në këtë raport, flitet edhe për zgjedhjet e përgjithshme të 9 shkurtit.

Nga KE, fillimisht vlerësohetse edhe pse pjesëmarrja përfundimtare në votime ishte mesatare, me 46.6 për qind, zgjedhjet u zhvilluan në mënyrë paqësore, konkurruese dhe gjithëpërfshirëse.

Por, edhe pse procesi zgjedhor kaloi qetë, nga BE theksohet se ka pasur përpjekje për të politizuar punën e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.

Po ashtu, nga BE theksohet edhe se gjatë fushatë ka pasur përdorim të gjuhës së ashpër dhe ‘’keqpërdorim të burimeve publike’’.

‘’BE EOM vuri në dukje se dita e votimit kaloi në mënyrë të qetë. Megjithatë, pati përpjekje për të politizuar punën e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), ndonëse Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) trajtoi me efektshmëri ankesat e paraqitura. Fushata zgjedhore ishte konkurruese, por u shënua edhe nga raste të retorikës së ashpër, keqpërdorimit të burimeve publike dhe presionit shoqëror e politik në zonat me shumicë serbe në Kosovë’’, thuhet në raport.

Në raport flitet edhe për vështirësitë që ka hasur Komisioni i Pavarur i Mediave, në ‘’ zbatimin e mbikëqyrjes rregullative për shkak të problemeve të vazhdueshme të qeverisjes’’.

‘’Komisioni i Pavarur i Mediave (KPM) pati vështirësi në zbatimin e mbikëqyrjes rregullative për shkak të problemeve të vazhdueshme të qeverisjes. Një çështje tjetër shqetësuese ishte reagimi i pamjaftueshëm ndaj dezinformimit elektoral dhe ndërhyrjeve të huaja’’, thuhet në raport.

Ndryshe, sa i përket gjuhës së përdorur në zgjedhjet parlamentare, ka pasur kritika të shumta edhe në vend. Kryesisht kritikat janë drejtuar ndaj të Lëvizjes Vetëvendosje, dhe kryetarit të kësaj parti, Albin Kurti.

(Kosova Sot Online)