Ankohet qytetari: Peci me xhipa në mes të natës na hyri n’oborr
Qytetari Ali Vinarci nga ‘Ura e Gjakut’ në Mitrovicë ankohet se Faton Peci në mesnatë pa lejen e tij ka hyr me disa xhipa të zi në oborr të tij ku edhe e ka shqetësuar.
Qytetari më tej rrëfen se Peci ndodhej në takim me disa banorë të lagjes, kurse vartësit e tij po endeshin poshtë e lartë nëpër oborr të tij.
Vinarci pas shqetësimit të madh që ia ka bërë Peci me xhipa thotë se ka kërkuar largimin nga ta, ku edhe e ka cilësuar veprim i papranueshëm dhe përbën cenim të qetësisë dhe privatësisë së familjes.
“Gjatë natës së djeshme, rreth orës 22:00, disa vetura u panë të parkuara në oborrin tim pa lejen time.
Kandidati për kryetar të Komunës së Mitrovicës, z. Faton Peci, ndodhej në një takim në lagje, ndërsa disa persona vartës të tij qëndronin brenda dhe jashtë këtyre veturave, duke shkaktuar shqetësim në orët e vona të mbrëmjes.
Pas rreth një ore, dolëm dhe, me mirësjellje, kërkuam që ata të largoheshin nga prona jonë private. Prania e tyre e paautorizuar dhe qëndrimi i zgjatur na shkaktoi shqetësim, pasi nuk ishim të informuar se kush ishin këta persona dhe për çfarë arsye ndodheshin aty.
Ky veprim është i papranueshëm dhe përbën cenim të qetësisë dhe privatësisë së familjes sonë.
Kërkojmë që raste të tilla të mos përsëriten dhe që çdo aktivitet politik të zhvillohet me respekt të plotë ndaj pronës private dhe rendit publik”, u shpreh qytetari.

(Kosova Sot Online)
