Arian Tahiri padyshim ishte ylli i kësaj fushate
Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi bëri një rezyme të shkurtër të zgjedhjeve lokale që sapo përfunduan dhe nga të cilat tha se partia e udhëhequr prej tij “u konfirmua si partia më e votuar në Kosovë”, transmeton gazeta "Kosova Sot Online".
PDK-ja fitoi në gjashtë komuna dhe humbi garën e ashpër në Mitrovicë. Kandidatin për kryetar atje, Arian Tahirin, kreu i partisë e konsideroi “yll”.
“Me këtë rast, dua të shpreh mirënjohjen dhe respektin e veçantë për mikun tim, yllin e kësaj fushate, Arian Tahirin në Mitrovicë, i cili, i vetëm përballë tërë aparatit shtetëror, bëri një garë të fortë, dinjitoze dhe të ngushtë deri në fund”, shkroi Krasniqi ndër tjerash në një postim në Facebook.
Tahiri, i cili në rundin e parë pati një diferencë shumë të vogël me kundërkandidatin e tij nga LVV-ja, Faton Peci, humbi dje, në finalen e një gare shumë të luftuar dhe për të cilën Albin Kurti u angazhua fort.
(Kosova Sot Online)
