Këta janë katër policët që dyshohet se keqtrajtuan dy qytetarë

  • A.P /
  • 11 November 2025 - 08:39
Këta janë katër policët që dyshohet se keqtrajtuan dy qytetarë

Inspektorati Policor ka rekomanduar suspendimin e katër policëve, ku sipas tyre, ata dyshohet se brenda stacionit policor të Podujevës kanë keqtrajtuar dy qytetarë, njëri nga ta i mitur, të cilët ndodheshin në ndalim, transmeton gazeta "Kosova Sot Online".

Sipas medieve bëhet fjalë për: Endrit Latifin, Gentian Muratin, Bujar Sylën dhe
Bajram Shalën.

“Informacionet e para për këtë rast IPK i kishte pranuar nga Policia e Kosovës ku dyshohej se zyrtarët policorë kishin tejkaluar autorizimet e tyre gjatë përdorimit të forcës. Bazuar në veprimet fillestare hetimore dyshohet se zyrtarët policorë gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare dhe atë brenda zyrave të stacionit policor kanë keqtrajtuar dy qytetarë (njëri nga ta i mitur) që ndodheshin në ndalim.”, thuhet në njoftimin e IPK-së.

Hetimet ndaj katër zyrtarëve policorë janë duke u zhvilluar në koordinim me Prokurorinë Themelore në Prishtinë në procedurë të rregullt me dyshimin për veprën penale “Keqtrajtim gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare ose autorizimeve publike”.

Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

(Kosova Sot Online)