Haxhiu mohon parregullsitë: Mitrovica foli qartë dhe pastër

  • A.P /
  • 11 November 2025 - 13:05
Haxhiu mohon parregullsitë: Mitrovica foli qartë dhe pastër

Albulena Haxhiu, deputete e Vetëvendosjes, ka mohuar mundësitë se mund të ketë pasur parregullsi në procesin zgjedhor në Mitrovicë, duke thënë se ky qytet sipas saj ka ‘’folur qartë dhe pastër’’, transmeton gazeta "Kosova Sot Online".

Në reagimin e saj, deputetja Haxhiu, ka akuzuar Partinë Demokratike të Kosovës, duke deklaruar se kjo e fundit po mundet që ta marrë ‘’rezultatin në tavolinë’’.

‘’Vetë e ngritën vorbullën në Mitrovicë duke dashur të sulmojnë njëkohësisht edhe Mitrovicën edhe Albin Kurtin për t’i akuzuar më pas se Mitrovica nuk i vlerëson dhe se nuk është bërë asgjë për të.

Por vorbulla u kthye në bumerang. Rezultati u dëshmua qartë dy herë, më 12 tetor dhe më 9 nëntor.

Dhe kur dështimi është kaq flagrant, natyrshëm kombinimi i dështimit të PDK-së dhe disa hibridëve del sërish në skenë. Tani, meqë nuk arritën të fitojnë as në terren e as përmes studiove televizive, duan ta marrin rezultatin në tavolinë.

Por Mitrovica ka folur qartë dhe pastër, aq shumë, sa asnjë insinuatë nuk mund t’u bëjë më punë’’, ka shkruar ajo.

(Kosova Sot Online)