Një ushtar i FSK-së ka mohuar tri akuza për vepra sek*suale në Britani të Madhe

  • A.P /
  • 12 November 2025 - 15:45
Një ushtar i FSK-së ka mohuar tri akuza për vepra sek*suale në Britani të Madhe

Një ushtar nga Kosova që ndihmon në trajnimin e personelit të ushtrisë ukrainase ka mohuar tri akuza për vepra seksuale në Britani të Madhe, transmeton gazeta "Kosova Sot Online".

Bali Hoxha, 28 vjeç, nga kampi West Tofts në Thetford, Norfolk, akuzohet për përdhunim dhe dy akuza për sulm seksual ndaj një gruaje, shkruan BBC.

Sulmi i pretenduar ndodhi përgjatë një shtegu këmbësorësh midis rrugës Prince of Wales dhe qendrës tregtare Riverside Retail Park, rreth orës 23:30 më 17 shtator, në Norwich.

Hoxha është dërguar në paraburgim nga Gjykata e Kurorës në këtë qytet deri në fillimin e gjyqit më 7 prill, i cili pritet të zgjasë pesë ditë.

Hoxha është pjesëtar i Forcës së Sigurisë së Kosovës, por është kontraktuar për të trajnuar ushtarë ukrainas në terrenin stërvitor të Ushtrisë Britanike pranë Thetfordit, në bazë të një kontrate me Ministrinë e Mbrojtjes.

Ai konfirmoi vetëm emrin gjatë paraqitjes në gjykatë, por avokati mbrojtës Jonathan Goodman ka thënë se, ndonëse anglishtja e tij ishte e mjaftueshme për seancën e pranimit të fajësisë, do të kërkohej një përkthyes në gjuhën shqipe për gjyqin dhe për çdo seancë ndërmjetëse.

Gjithashtu, tre dëshmitarë, që janë po ashtu pjesëtarë të FSK-së, do të kenë nevojë për përkthyes kur do të mbahen seancat.

Gjykatës iu tha se ka gjasa që ata dëshmitarë të jenë të angazhuar në Kosovë në kohën e gjyqit, por FSK-ja do t’i lirojë për të marrë pjesë në seancë.


(Kosova Sot Online)