Gjysma e grave amvise nuk kanë fëmijë në Turqi
Ministrja turke e Familjes dhe Shërbimeve Sociale, Mahinur Ozdemir Goktaş, ka theksuar se po bie norma e lindshmërisë në Turqi, transmeton gazeta "Kosova Sot Online".
Ajo e ka vlerësuar këtë problem si çështje të mbijetesës kombëtare, pasi gjysma e amvisërive nuk kanë fëmijë.
Duke iu referuar të dhënave zyrtare, ajo ka treguar se numri i fëmijëve të moshës së shkollës fillore do të zvogëlohet për 900 mijë gjatë pesë viteve të ardhshme, raporton hurriyet.
Sipas saj, sfidat me të cilat po përballen janë pasojë e dobësimit të familjes si institucion.
Ajo e ka arsyetuar vendimin e qeverisë që viti 2025 të shpallet “Viti i Familjes”, duke thënë se kjo është një fushatë e cila është në shënjestër të diskreditimit dhe dezinformimit.
Goktaş ka kritikuar vendosjen përballë njëra-tjetrës të konceptit të familjes dhe të drejtave të grave, duke konsideruar se ata që e madhërojnë njërën dhe e minojnë tjetrën, në fakt i dobësojnë të dyja.
Ajo ka vlerësuar se po rriten individualizmi dhe izolimi shoqëror dhe se ulja e popullsisë në Turqi nuk mund të shpjegohet vetëm me faktorë ekonomikë.
Norma e lindshmërisë në këtë shtet është ulur vazhdimisht gjatë disa viteve të fundit. Si rrjedhojë, qeveria ka ndërmarrë masa për rritjen e saj, siç është mbështetja financiare për prindërit.
(Kosova Sot Online)
