Dënohet me vdekje ish-kryeministrja e Bangladeshit Sheikh Hasina

  • A.P /
  • 17 November 2025 - 13:05
Dënohet me vdekje ish-kryeministrja e Bangladeshit Sheikh Hasina

Një gjykatë tribunale në Bangladesh ka dënuar ish-kryeministren Sheikh Hasina me vdekje për shtypjen e protestave kundër qeverisë të vitit të kaluar, transmeton gazeta "Kosova Sot Online".

Hasina është dënuar në mungesë për krime të ndryshme kundër njerëzimit. Ajo jeton në syrgjynosje në Indi.

Ajo u dënua bashkë me ish-ministrin e Brendshëm dhe shefin e Policisë. Ata u shpallën fajtorë për lejimin e përdorimit të dhunës vdekjeprurëse ndaj protestuesteve dhe mosparandalimin e mizorive ndaj tyre.

Gjykata lexoi të gjitha akuzat para të pandehurve duke përshkruar shkallën e dhunës së aksionit të policisë. I pranishëm ishte vetëm ish-shefi i policisë, Abdullah al-Mamun.

Ish-udhëheqësja mohon të gjitha akuzat e sulmit ku sipas Kombeve të Bashkuara u vranë me qindra njerëz.

Hasina ishte kryeministrja më jetëgjatë në pushtet e Bangladeshit. Ajo u kthye në një ikonë të demokracisë kur bashkoi forcat me parti të tjera politike kundër regjimit ushtarak të viteve 1980. Ajo e mori për herë të parë pushtetin në 1996.

Mandati i saj i dytë që nisi në 2009 ishte kontradiktor. Ai u njollos me akuzat e vrasjeve, zhdukjeve të detyruara dhe heshtjes së kundërshtarëve, një kthesë e dukshme për një lidere që dikur luftoi për demokracinë shumëpartiake.

Babai i saj, Sheikh Mujibur Rahman, udhëhoqi pavarësinë e vendit nga Pakistani në 1971 dhe u bë presidenti i parë. i ati i saj i vra me pjesën më të madhe të familjes në 1975. Vetëm Hasina dhe motra e saj, Sheikh Rehana, shpëtuan pasi ndodheshin jashtë vendit.

Hasina është një e mbijetuar e vërtetë politike që u ka rezistuar qindra arrestimeve në opozitë dhe disa tentativave për vrasje.

Ajo tha se vrasjet gjatë protestës së vjetshme ishin “tragjike”, por mohoi kategorikisht që të ketë udhëruar personalisht sulmin e forcave të sigurisë ndaj protestuesve në javët para se ajo të arratisej.

Shkaku i protestave vdekjeprurëse të vitit të shkuar ishte zemërimi i të rinjve bangladeshas me mënyrën e shpërndarjes së punëve të qeverisë.

Që pas luftës për pavarësi nga Pakistani në 1971, Bangladeshi ka ruajtur gjithnjë 30% të të gjitha roleve të shërbimit civil për veteranët dhe në thelb, për pasardhësit e tyre.

Në 2024, mijëra punë të lakmueshme po ofroheshin bazuar në prejardhje dhe jo në meritë. Praktikisht, shpesh ata ishin mbështetës të Sheikh Hasina dhe partisë së saj, Awami League.

Për studentët dhe të sapodiplomuarit që vuanin nga shkalla e lartë e mospunësimit, sistemi i kuotave po shihej si shenjë kronizmi brenda qeverisë së Bangladeshit, sesa shpërblim për patriotizmin.

Pas ardhjes në pushtet të qeverisë së përkohshme, sistemi i kuotave është reduktuar ndjeshëm. Tani vetëm 5% e punëve në qeveri shkojnë për pasardhësit e veteranëve të luftës.

Lideri Muhammad Yunus ka stabilizuar disi ekonominë duke fuqizuar rezervat e huaja të vendit dhe duke siguruar hua të rëndësishme nga Fondi Monetar Ndërkombëtar.

Por Bangladeshi, një prej prodhuesve më të mëdhenj të veshjeve, ka nevojë për më shumë investime që të riparojë ekonominë e brishtë. Kjo nuk do të ndodhë për sa kohë vijojnë dhuna dhe destabiliteti politik.

(Kosova Sot Online)