Rama i kundërpërgjigjet Muratit: Keni me jep përgjegjësi sot apo nesër
Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, i është kundërpërgjigjur Ministrit në detyrë të Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Muratit, lidhur me çështjen e buxhetit, transmeton gazeta "Kosova Sot Online".
Murati i reagoi më herët Ramës, pasi ky e ka dërguar në Gjykatën Kushtetuese çështjen për buxhetin e Komunës, ku i tha se e ka të lehtë zgjidhjen, ashtu që t’i kërkojë kreut të LDK’së, Lumir Abdixhikut që ta votojnë buxhetin në Kuvend.
Rama ka thënë se Murati po përpiqet të krijojë përçarje me pjesën ku tha se janë shtuar zërat se “Lumir Abdixhiku duhet të japë dorëheqje dhe në vend të tij në krye të LDK-së duhet të vijë Përparim Rama”.
“Sa për sqarim: Prishtina e ka Kryetarin. LDK e ka Kryetarin. Dhe shumë shpejt, Kosova do ta ketë edhe Kryeministrin e saj, Lumir Abdixhikun. Sa herë përpiqeni të krijoni përçarje mes nesh, thjesht e bëni më të qartë dallimin në kulturë politike. Ne ju shohim, ju lexojmë, por nuk biem në nivelin tuaj. Thjesht vazhdojmë punën dhe fitojmë. Siç e fituam Kryeqytet dy herë. Ne e kemi besimin e qytetarëve. Ajo që keni ju është një kallëzim penal dhe një lëndë në Kushtetuese për një bllokim të pajustifikueshëm të Kryeqytetit për të cilin keni me jep përgjegjësi, sot apo nesër!”, ka shkruar Rama.
(Kosova Sot Online)
