Gruda - Haxhiut: Jam i bindur që s’e di çka është qeveria në dorëheqje dhe çka është qeveria në detyrë
Deputeti i PDK-së, Përparim Gruda, është i vetmi deputet nga partitë tjera shqiptare që ka marrë pjesë në “seancën” e sotme të thirrur me nënshkrimet e deputetëve të Vetëvendosjes, transmeton gazeta "Kosova Sot Online".
Gruda tha se shkoi aty për të treguar aspektet ligjore të pikave të propozuara dhe pse seanca është jokushtetuese.
Derisa po fliste për Ligjin për Qeverinë, nënkryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, nga pozita e saj i ndërhyri atij duke i kërkuar të lexojë nene të caktuara nga ky ligj.
Gruda tha se po i ngatërron nenet ku flitet për qeverinë në detyrë e ku për qeverinë në dorëheqje.
“Unë jam i bindur që ti nuk e di çka është qeveria në dorëheqje dhe çka është qeveria në detyrë. Mos ndërhyj! Mos abuzo me detyrën! Je nënkryetare e Kuvendit, unë jam deputet”, i tha Gruda.
(Kosova Sot Online)
