Kurti: Në Kosovë s’ka krizë ekonomike, prandaj edhe s’ka protesta
Kryeministri në detyrë e deputeti i Vetëvendosjes, Albin Kurti, në foltoren e Kuvendit gjatë “seancës”, që e thirri partia e tij e u bojkotua si e paligjshme nga partitë tjera të shumicës shqiptare, tha se në Kosovë s’ka krizë ekonomike, transmeton gazeta "Kosova Sot Online".
Ai tha se për këtë arsye edhe s’ka protesta të qytetarëve.
“Në Kosovë nuk ka krizë ekonomike. Rritja ekonomike në çerekun e dytë sivjet ka qenë 4.58% të bruto produktit vendor. Në këto katër vite sa isha kryeministër dhe tash sa jam kryeministër në detyrë, asnjëherë rritja ekonomike nuk ka qenë nën 4%, rritja mesatare ekonomike është 6%. Prandaj edhe nuk ka protesta të qytetarëve, por ka ankesa të opozitarëve. Në Kosova nuk ka krizë ekonomike, po rrezikojmë të kemi krizë sociale nga kriza buxhetore financiare për shkak të keqpërdorimit të procedurave”.
(Kosova Sot Online)
