Ja kur nis gjyqi ndaj Rozeta Hajdarit dhe tre të akuzuarve tjerë
Seanca fillestare në rastin e rezervave shtetërore do të mbahet më 10 dhjetor nga ora 9:30. Të akuzuar tashmë në këtë rast janë ministrja në detyrë e Tregtisë Rozeta Hajdari, dy zyrtarët Irfan Lipovica e Hafiz Gara dhe Ridvan Muharremi.
Lajmin për Gazetën Express e konfirmoi zëdhënësja e Gjykatës Themelore në Prishtinë, Mirlinda Gashi.
“Ju njoftojmë se seanca e shqyrtimit fillestar në çështjen penale ndaj të pandehurve R.H., I.L., H.G., dhe R.M. është caktuar të mbahet me datë 10.12.2025 në ora 09:30.”
Javën e kaluar Prokuroria Speciale njoftoi se Hajdari dhe dy zyrtarët Irfan Lipovica dhe Hafiz Gara dyshohen se në bashkëkryerje i kanë keqpërdorur detyrat zyrtare me qëllim që të përfitonin pasuri për persona të tjerë dhe i kanë shkaktuar dëm buxhetit të Kosovës gjatë muajve shkurt dhe mars 2022.
Sipas Prokurorisë, buxheti i shtetit ka pësuar një dëm prej rreth 3 milionë eurove si pasojë e veprimeve të tyre.
(Kosova Sot Online)
