Xhafer Tahiri jep dorëheqje nga pozita e kryetarit të Degës së LDK’së
Xhafer Tahiri, ka dhënë dorëheqje nga detyra e kryetarit të degës së Lidhjes Demokratike të Kosovës në Vushtrri, transmeton gazeta "Kosova Sot Online".
Ai ka deklaruar edhe se dorëheqja e tij është një ‘’hap prapa vetëm në pozicion, por jo në angazhim’’.
Në reagimin e tij, Tahiri ka bërë me dije po ashtu se ai do vazhdojë të punojë në Kryesinë Qendrore dhe në Këshillin e Përgjithshëm të LDK-së.
‘Ju falënderoj prej zemre, nga thellësia e shpirtit, për çdo mbështetje, çdo mesazh, çdo derë të hapur, çdo natë të gjatë fushate, çdo ditë pune që kemi kaluar së bashku. Ju falënderoj për besimin që më keni dhënë për kaq vite — besim që ka qenë nderi më i madh i jetës sime politike’’, ka shkruar ai mes tjerash.
Postimi:
Të dashur qytetarë të Vushtrrisë,
Të respektuar anëtarë, aktivistë dhe miq të LDK-së,
Ka ditë kur njeriu flet vetëm nga zemra, sot është një prej atyre ditëve.
Me shumë dashamirësi, reflektim dhe përgjegjësi të thellë politike, kam marrë vendimin të jap dorëheqjen nga detyra e Kryetarit të Degës së LDK-së në Vushtrri.
Ky vendim nuk vjen as nga lodhja, as nga zhgënjimi. Vjen nga dashnia e madhe që kam për qytetin e zemrës dhe nga respekti që kam për secilin prej jush.
Besoj se udhëheqja duhet të dijë jo vetëm kur të prijë, por edhe kur të hapë rrugë për energji të reja, për një kapitull tjetër të LDK-së në Vushtrri.
Rruga ime politike ka filluar shumë herët.
Në 2009, kur më besuat drejtimin e FRLDK-së në Vushtrri, e më pas në gjithë Kosovën, unë isha vetëm një i ri i rritur me LDK e me ëndrra dhe idealizëm. Ju më hapët derën dhe unë u betova që kurrë të mos ju zhgënjej.
Që nga 2017, çdo ditë e jetës sime ka qenë në funksion të këtij qyteti. Kam punuar me zemër, me ndershmëri dhe me bindjen e thellë se Vushtrria meriton më shumë. Nderi i jetës sime ka qenë të shërbej si Kryetar i Komunës 2017–2021, një periudhë e mbushur me punë, sfida, por edhe me projekte që kanë lënë gjurmë. Unë jam krenar për çdo hap që kemi bërë bashkë.
Rezultatet tona elektorale e tregojnë rrugën tonë:
2009 – 4,486 vota
2013 – 5,418 vota
2017 – 5,302 vota
2021 – 8,615 vota
2025 – 6,200 vota
Por mbi të gjitha, në zgjedhjet e vitit 2017 ju më dhatë një nder të jashtëzakonshëm: me votën tuaj ju më bëtë kandidatin e vetëm të LDK-së fitues në Rajonin 02 (Mitrovicë, Vushtrri, Skënderaj e Veri) në 20 vitet e fundit. Ky është besim që nuk harrohet kurrë, është besim që të obligon.
Dhe pikërisht nga ky besim i madh i juaji, unë jam zotuar — publikisht por edhe në zemrën time — se edhe nëse një ditë do të mbetej vetëm një anëtar i LDK-së, unë do të isha ai.
Sepse LDK për mua nuk është vetëm parti. Është vlerë. Është amanet. Është rrugëtim i jetës.
E di që rezultati i këtij viti nuk ishte ai që kemi dëshiruar. Por rezultati nuk e ndryshon vleren e punës sonë, të secilit prej jush, e nuk e ul dashurinë që kam për këtë qytet.
Bashkëpunimi si vlerë politike dhe njerëzore do të mbetet gjithmonë investimi më i fuqishëm që kemi sjellë në Vushtrri – dhe ai do të jehon pozitivisht për shumë vite në Vushtrri dhe në gjithë Kosovën.
Ju falënderoj prej zemre, nga thellësia e shpirtit, për çdo mbështetje, çdo mesazh, çdo derë të hapur, çdo natë të gjatë fushate, çdo ditë pune që kemi kaluar së bashku. Ju falënderoj për besimin që më keni dhënë për kaq vite — besim që ka qenë nderi më i madh i jetës sime politike.
Vushtrria dhe LDK nuk kanë qenë thjesht angazhime politike për mua. Ato kanë qenë shtëpia ime, familja ime, identiteti im qytetar e politik.
Vendimi për dorëheqje është një hap prapa vetëm në pozicion, por jo në angazhim.
Në Kryesinë Qendrore dhe në Këshillin e Përgjithshëm të LDK-së do të vazhdoj të punoj me të njëjtin përkushtim për Vushtrrinë, për LDK-në e fortë e fituese dhe për të ardhmen tonë të përbashkët në atdheun tonë.
Kam besim te njerëzit e Vushtrrisë. Kam besim te LDK-ja.
Dhe mbi të gjitha, kam besim se rruga e bashkëpunimit do të vazhdojë të sjellë të mira për qytetin tonë.
(Kosova Sot Online)
