Ministria e Financave jep detaje për procedurat që janë duke u zbatuar pas vendimit të Qeverisë Kurti për produktet amerikane

  • A.P /
  • 22 November 2025 - 08:50
Ministria e Financave jep detaje për procedurat që janë duke u zbatuar pas vendimit të Qeverisë Kurti për produktet amerikane

Qeveria e Republikës së Kosovës në mujain gusht, kishte ndërmarrë një hap të rëndësishëm në fuqizimin e partneritetit ekonomik me Shtetet e Bashkuara të Amerikës përmes miratimit të vendimit që parashikon përjashtimin nga tarifa doganore të të gjitha produkteve me origjinë amerikane, shkruan gazeta "Kosova Sot Online".

Vendimi, i miratuar në mbledhjen e 265-të të Qeverisë, përcakton një normë doganore zero për produktet e importuara nga SHBA-ja, duke synuar nxitjen e investimeve amerikane dhe zgjerimin e shkëmbimeve tregtare dypalëshe.

Sipas Qeverisë, kjo politikë e re fiskale synon të krijojë një klimë më të favorshme për bizneset amerikane, të rrisë qasjen e produkteve me cilësi të lartë në tregun kosovar dhe të forcojë bashkëpunimin ekonomik strategjik ndërmjet dy vendeve.

Në një përgjigje zyrtare për gazetën "Kosova Sot Online, Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve ka ofruar detaje të qarta lidhur me procedurat që tashmë janë duke u zbatuar nga Dogana e Kosovës, pas hyrjes në fuqi të Vendimit të Qeverisë nr. 13/265, datë 1 gusht 2025. Ministria theksoi se Dogana ka filluar zbatimin e menjëhershëm të tarifës zero për mallrat me origjinë nga Shtetet e Bashkuara, duke krijuar një proces të standardizuar dhe të përshpejtuar për importuesit.

Sipas Ministrisë, për të përfituar nga lirimi doganor, importuesit duhet të dorëzojnë dokumentacion të vlefshëm që dëshmon origjinën amerikane të mallrave. Aktualisht, Dogana e Kosovës pranon këto dokumente:

1. Dokumente komerciale të lëshuara nga eksportuesi amerikan, duke përfshirë faturën, deklaratën e origjinës në faturë ose çdo dokument tjetër që përshkruan qartë mallrat dhe origjinën e tyre.
2. Certifikata të origjinës të lëshuara nga odat e autorizuara të Tregtisë Amerikane, të cilat vërtetojnë në mënyrë zyrtare origjinën e produktit.
3. Dëshmi të respektimit të rregullit të transportit të drejtpërdrejtë, një kërkesë standarde që siguron që mallrat të mos ndryshojnë trajtë ose pronësi gjatë transportit.

Nga Zyra për komunikim publik në MEPT për gazetën "Kosova Sot Online” bënë të ditur se që nga hyrja në fuqi e vendimit, një sasi e konsiderueshme mallrash me origjinë amerikane tashmë janë liruar nga tarifa doganore sipas kësaj procedure të re, duke dëshmuar efektivitetin dhe zbatimin praktik të politikës së re.

Zyrtarët e financave kanë theksuar se heqja e tarifave doganore do t’u krijojë operatorëve ekonomikë kushte të reja konkurruese, duke ulur kostot e importit për produkte të rëndësishme industriale, teknologjike dhe bujqësore. Në të njëjtën kohë, kjo nismë synon të tërheqë investime të reja amerikane në sektorë strategjikë të ekonomisë së Kosovës, përmes një mjedisi më të hapur dhe më tërheqës për bizneset ndërkombëtare.

Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve riafirmoi përkushtimin e saj për të vazhduar implementimin e politikave që lehtësojnë tregtinë, rrisin transparencën fiskale dhe përforcojnë partneritetet me vendet aleate, duke vënë theks të veçantë tek partneriteti afatgjatë me SHBA-në.

Ky vendim pritet të ketë ndikim pozitiv afatshkurtër dhe afatgjatë në ekonominë e vendit, duke gjeneruar më shumë mundësi për bizneset vendore dhe duke kontribuar në rritjen e vëllimit të tregtisë dypalëshe.

(Kosova Sot Online)