Vuçiq i mohon akuzat se kishte lidhje me snajperët në Sarajevë

  • A.P /
  • 22 November 2025 - 12:15
Vuçiq i mohon akuzat se kishte lidhje me snajperët në Sarajevë

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, i mohoi të premten pretendimet që e lidhin atë me të ashtuquajturit “snajperë të fundjavës” në Sarajevë gjatë luftës në Bosnje e Hercegovinë në vitet ‘90.

Vuçiq deklaroi për TV Informer se “unë kurrë nuk kam mbajtur pushkë në dorë” dhe njoftoi se do të ngrejë padi kundër mediave që e kanë publikuar këtë, duke shtuar se do t’i angazhojë “avokatët më të mirë në botë”.

Gazetari hulumtues kroat, Domagoj Margetiq, deklaroi të martën se ia ka dorëzuar Prokurorisë në Milano – e cila po udhëheq hetimin për “snajperët e fundjavës” – të dhënat që, sipas tij, tregojnë se Vuçiqi ka marrë pjesë ose ka ndihmuar në “turizmin e snajperëve”, ku thuhet se të huaj të pasur paguanin forcat serbe rreth Sarajevës së rrethuar për të shtënë ndaj civilëve të qytetit.

Vuçiq, në intervistën për TV Informer, tha se “nuk kishte dëgjuar kurrë për një fundjavë” të tillë.

“Por, kjo s’ka rëndësi. Unë nuk kam pasur pushkë; madje kur kam ardhur dhe kam pyetur nëse mund të jem me ju, më thanë ‘djalosh, kthehu, na duhet gazetar dikush që di anglisht’. Historia është aq absurde dhe këtë e dinë të gjithë; kam incizime, dëshmitarë, dhe aty ku thonë se ishte pushka, në fakt ishin këmbët mbajtëse të kamerës që po ia mbaja kameramanit”, tha Vuçiq.

Ai shtoi se do t’i angazhojë “avokatët më të mirë në botë” për t’i paditur mediat si The Guardian, Daily Mail dhe të tjera që kanë raportuar për këtë.

Vuçiq tha se beson se mund të fitojë miliona euro në këto padi.


(Kosova Sot Online)