Ambasadori palestinez në Tiranë: Kosovën s’e njohim

  • A.P /
  • 22 November 2025 - 16:00
Ambasadori palestinez në Tiranë: Kosovën s’e njohim

Ambasadori palestinez në Shqipëri, Sami Mhanna, ka thënë se vendi i tij nuk e njeh Kosovën për shkak të hapjes së Ambasadës në Jerusalem.

Në një bisedë në tch, ai ka thënë se megjithatë, nuk i dihet kurrë nëse vendi i tij do të ndryshojë qëndrim për sa i përket kësaj çështjeje.

“Sa i përket njohjes së Kosovës, nuk i dihet kurrë. E kam thënë shumë herë më parë në intervista, dhe shumë njerëz janë zemëruar me mua. I kam parë komentet, jam përballur me kritika. Unë kam folur nga këndvështrimi i qeverisë sime. Palestinezët në përgjithësi, edhe qeveria e Palestinës, nuk kanë asgjë kundër Kosovës dhe popullit të Kosovës”.

“Çështja e zhvendosjes, ose më saktë themelimi i Ambasadës së Kosovës në Jerusalem. Jerusalemi është territor i pushtuar. Sipas të drejtës ndërkombëtare, konsiderohet territor i pushtuar, dhe nuk mund të hapësh ambasadë atje sepse konsiderohet shkelje e hapur e të drejtës ndërkombëtare. Këtë ia kam thënë edhe presidentit (Bajram) Begaj. Ai më pyeti pse Palestina nuk e ka njohur Kosovën. Unë i thash, kjo është arsyeja kryesore”, deklaroi Mhanna.

Ndër të tjera, ambasadori ka thënë se e njeh personalisht homologun e tij kosovar në Tiranë, me të cilin thotë se flet normalisht.

Shton se vendi i tij nuk ka asgjë kundër popullit të Kosovës.

Më tutje, ai përmend edhe një deklaratë që i atribuohet presidentit palestinez, Mahmoud Abbas, i cili është cituar të ketë thënë se vendi i tij nuk e njeh Kosovën për shkak të Serbisë.

“Kështu është thënë, por ai nuk e ka thënë atë gjë. Të gjitha ato raporte kanë qenë të gabuara. Çështja e Kosovës ka qenë e lidhur me të drejtën ndërkombëtare, kështu e di unë”, thotë Mhanna.

Për çështjen e hapjes së Ambasadës së Kosovës në Jerusalem, ambasadori palestinez tha se shumë njerëz i thonë se kjo nuk është arsye e fortë për të mos njohur mëvetësinë e vendit, duke ia rikujtuar historinë e re se çfarë ka ndodhur.

“Por unë nuk e di çka ka ndodhur atëherë, ndoshta ka gjëra që ne nuk i dimë. Unë po e them pozicionin e vendit tim. Çështja është se Ambasada u hap në Jerusalem. Kjo ka qenë arsyeja kryesore”, deklaroi ambasadori Sami Mhanna.

I pyetur nëse ka qenë ndonjëherë në Kosovë, ai tha: “Kur më caktuan për ambasador në Shqipëri, erdha me makinë. Kalova nëpër Kosovë, nuk u ndala në Prishtinë, por është shumë e bukur. Pash male e natyrën. Absolutisht planifikoj ta vizitoj së shpejti”.

(Kosova Sot Online)