Gjykata Speciale s’i njeh festat zyrtare të Kosovës

  • A.P /
  • 24 November 2025 - 15:15
Gjykata Speciale s’i njeh festat zyrtare të Kosovës

Dhomat e Specializuara të Kosovës, sërish, po tregojnë që nuk kanë asnjë lidhje me Kosovën, transmeton gazeta "Kosova Sot Online".

Përderisa më 28 nëntor në Kosovë është ditë feste si rezultat i Pavarësisë së Shqipërisë, në Hagë pritet të jetë ditë pune.

Rastësi apo jo, Hashim Thaçit ia caktuan seancën për 28 Nëntor, datë që shënon edhe përvjetorin e daljes publike të UÇK-së.

Kjo do të jetë konferencë përgatitore për gjykim, në procesin ku Thaçi akuzohet për pengim të drejtësisë.

Veç tij, akuzohen edhe Fadil Fazliu, Isni Kilaj, Bashkim Smakaj e Hajredin Kuçi.

“Gjykatësi i vetëm Kristofer Gosnell në çështjen kundër Thaçit, Smakajt, Kilajt, Fazliut dhe Kuçit ka caktuar konferencën përgatitore për gjykimin dhe konferencën përgatitore për gjykimin të ZPS-së për 28 nëntor, në orën 09:30. Në këtë vendim, Gjykatë Gosnell caktoi afatet 20 nëntor për ZPS-në dhe 24 nëntor për Mbrojtjen për dorëzimin e parashtrimeve për disa pika të rendit të ditës të seancës, përfshirë gatishmërinë e palëve për të filluar gjykimin në javën që fillon më 15 dhjetor”, u tha në njoftim.

Kjo nuk është hera e parë që Gjykata Speciale nuk i respekton festat në Kosovë.

Njëjtë kishte ndodhur kohë më parë, kur në Ditën e Pavarësisë së Kosovës, kishin caktuar seancë.

Pas reagimeve në Kosovë, seanca ishte anuluar.

(Kosova Sot Online)