Haradinaj me mesazh për diasporën: Kosova ka nevojë për ju

  • A.P /
  • 26 November 2025 - 13:05
Haradinaj me mesazh për diasporën: Kosova ka nevojë për ju

Kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka shpërndarë një mesazh drejtuar diasporës kosovare, në prag të nisjes së periudhës së aplikimit për regjistrimin e votuesve jashtë Kosovës për zgjedhjet e parakohshme, transmeton gazeta "Kosova Sot Online".

Nga 26 nëntori deri më 6 dhjetor 2025, mërgimtarët kanë mundësi të regjistrohen për të ushtruar të drejtën e tyre të votës.

Në postimin e tij, Haradinaj vë në pah rolin historik të diasporës:

“Atdheu ju mban me vete, kudo që shkoni. E kam ndjerë gjithmonë peshën e mallit tuaj dhe forcën e dashurisë suaj për Kosovën.”

Ai kujton sakrificat e brezave të mërgimtarëve, që nga koha e hershme e mërgimit e deri te angazhimi në luftën për liri:

“Mërgimi juaj nuk është thjesht histori largimi. Është histori sakrifice, për jetën, për lirinë… Rrugëtimi ishte i atyre që luftuan e u angazhuan, i dëshmorëve e i heronjëve të cilët Kosova e shqiptaria gjithmonë i nderoi.”

Haradinaj thekson se çdo brez i diasporës e ka mbajtur gjallë lidhjen me vendlindjen:

“Rrugëtimi juaj fillon te gjyshi, kalon te babai, te i biri, e sot te nipi që po rritet për ta dashur Kosovën si familja e tij.”

Duke falënderuar mërgatën për kontributin e vazhdueshëm, ai nënvizon se vendi ka nevojë për zërin e tyre në procesin zgjedhor:

“Ju e doni Kosovën më shumë se sa fjalët mund ta tregojnë. Prandaj, zëri juaj, besimi juaj dhe angazhimi juaj na duhen gjithmonë. Kosova ka nevojë për ju, siç edhe ju e keni mbajtur Kosovën gjallë në zemrat tuaja.”

(Kosova Sot Online)